
Sivjet “Chopin Piano Fest” vjen edhe si një manifestim i merituar për krijimin e një tradite, tashmë të qëndrueshme muzikore, shkruan sot “Koha Ditore”. Duke filluar nga edicioni i parë e deri më tash muzikantë nga 27 shtete kanë qenë pjesë e tij, përfshirë edhe asi nga shtetet që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Në ketë kontekst ka shërbyer edhe si platformë e diplomacisë kulturore.
Kulti për pianon dhe Frédéric Chopinin, kompozitorin e mirënjohur polak të epokës së romantizmit, në Kosovë sivjet sjell muzikantë të dëshmuar në skenat e Italisë, Francës, Norvegjisë, Rusisë, Shqipërisë, Hungarisë, Britanisë së Madhe e Kroacisë.
Mbrëmjen e hap pianisti i mirënjohur italian Giovanni Bellucci, që vjet e kishte përmbyllur me vepra të Bethoveenit dhe të Schubertit. Si Bellucci që ka ardhur prapë për të qenë pjesë e festivalit “Chopin Piano Fest”, ka edhe të tjerë emra të njohur si Hakon Austro, doajen i pianizmit në Norvegji, Stefan Vladar nga Austria që vitin e kaluar kishte performuar një duo pianistike me të shoqen, e emra të tjerë.
Ndër pikat e veçanta që ka theksuar drejtoresha organizative e këtij festivali, Besa Luzha, është përmbledhja e veprave të Chopinit, kryesisht miniatura, prej konkurseve të edicioneve të para, të dyta dhe të treta që edhe janë shpërblyer me çmime. Aktivitetet e tjera përveç 16 koncerteve do të përfshijnë koncerte të studentëve, nxënësve të shkollave të mesme dhe të mesme të ulëta. Ndër emrat që do performojnë, Luzha ka përmendur Fatjona Maliqin e cila vjen në bashkëpunim me profesorin e saj Herbert Groeger, që e ka hapur edicionin e parë të “Chopin…”.
Nga ana tjetër, nxënësit e studentët do të mundë të përsosin shkathtësitë e tyre në piano falë masterklaseve me muzikantët botërorë që qëndrojnë më gjatë në Kosovë.