Insajderi
Biznes

Ndotja e ajrit shkakton një nga pesë vdekjet e parakohshme në 19 qytete të Ballkanit Perëndimor

Insajderi
07 June 2019 - 15:46
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Çdo vit, ndotja e ajrit shkakton rreth 5,000 vdekje të parakohshme në një grup qytetesh të Ballkanit Perëndimor, vlerëson UN Environment. Mesatarisht, banorët e Ballkanit Perëndimor humbin rreth 1.3 vjet të jetës për shkak të ndotjes së ajrit, shkruan UN Environment.

Gjetjet preliminare të raportit ‘Ndotja e Ajrit dhe Shëndeti: rasti i Ballkanit Perëndimor’, tregon se numri mesatar i vdekjeve, të shkaktuara nga ndotja e ajrit në qytete, është rreth 5,000 në baza vjetore. Në shtatë qytete të hulumtuara, 15% të vdekjeve të parakohshme i atribuohen ndotjes së ajrit.

Shkaktari kryesor i vdekjeve të parakohshme vlerësohen të jenë termocentralet e vjetra dhe përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje në amvisëri. Përvec tjerash, raportet vlerësojnë se zgjidhja qëndron në aplikimin e teknologjisë së pastër në prodhimin e energjisë dhe rregullave më strikte për ndotje të liruar nga termocentralet e vjetra.

Momentalisht, në Ballkanin Perëndimor funksionojnë rreth 15 termocentrale të vjetra.

Si rrjedhojë, një numër shtetesh në Ballkanin Perëndimor kanë paralajmëruar ndërtimin e termocentraleve të reja moderne dhe projekte të energjisë së gjelbër, për të zvogëluar dukshëm ndotjen.

Disa sosh, sikurse Serba dhe Bosnja dhe Hercegovina, tani më kanë filluar ndërtimin e termocentraleve të reja ekologjike me përkrahje të fondeve shtetërore të Kinës dhe Rusisë, me qëllim të zvogëlimit të ndotjes dhe sigurimit të burimeve të mjaftueshme të energjisë.

Listës së shteteve që kanë paralajmëruar termocentral të ri, për të ndikuar në zvogëlimin e ndotjes, i është bashkangjitur edhe Kosova. Për dallim nga ato në Serbi dhe Bosne dhe Hercegovinë, termocentrali në Kosovë ndërtohet me përkrahje të SHBA-ve.

Sipas paralajmërimeve, termocentrali i ri në Kosovë, që vendit pritet t’i sjellë pavarësi energjetike dhe siguri të furnizimit të rregullt me rrymë, do të ndikojë dukshëm në uljen e vlerave të ndotjes, duke u ndërtuar në pajtim me kriteret më të ashpra Evropiane.

Kosova e Re do të zëvendësoje termocentralin e vjetër Kosova A, që llogaritet edhe ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.

Kosova e Re do të zvogëlojë emetimet e pluhurit për rreth 93%, ato të dioksidit të karbonit për rreth 38%, të dioksidit të sulfurit për rreth 85% dhe të NOx për rreth 93%, thuhet në buletinin e Ministrisë të publikuar pak kohë më parë në rrjete sociale.

Por, problemi nuk qëndron vetëm te termocentralet e vjetra. Më shumë se 60% të amvisërive në Ballkanin Perëndimor përdorin lëndë djegëse për ngrohje, sikurse thëngjillin dhe drurin.

Për më shumë, raportet theksojnë se shtetet duhet të aplikojnë masa për të ndaluar qarkullimin e veturave të vjetra ndotëse në rrugë. Shumica e veturave që përdoren në Ballkanin Perëndimor janë modele të vjetra të importuara nga Evropa.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark