Përfaqësues të partive opozitare në vend besojnë se ka hapësirë për t’u analizuar aspekti juridik i procesit të zgjedhjes së Hashim Thaçit si president i vendit.
Ato do të analizojnë ligjshmërinë e procesit, dhe pritet që së shpejti të dalin me qëndrimet e tyre.
Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, përveç që ka përmendur atmosferën e rëndë që ka mbretëruar dje në sallë, ka thënë se po analizohet edhe procesi në aspektin juridik.
“Në aspektin juridik ne jemi duke e analizuar procesin dhe me kohë do të njoftojmë për veprimet e mëtejme”, ka thënë Haxhiu.
Në anën tjetër, përfaqësues të dy partive të tjera opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën – tashmë kanë dalë me deklarata që kontestojnë ligjshmërinë e procesit.
Time Kadrijaj nga AAK i ka thënë Insajderit se shqetësimi kryesor i saj ka të bëjë me votimin e vetë kandidatit për president, Rafet Ramës. Sipas saj, kjo kishte qenë arsyeja se pse Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që votimi i zgjedhjes së ish-presidentit Behgjet Pacolli ka qenë i parregullt.
“Kemi qenë dëshmitar të një procesi të zorshëm dhe një dite të rëndë për Kosovën. Proceduralisht i kemi këto shqetësime kur është zgjedhë presidenti paraprak ne përshkak të votimit të vet presidentit atëhërë të z. Pacilli që kushtetuesja e ka kthyer mbrapa këtë proces”, i ka thënë ajo Insajderit.
Kurse Zahir Berisha nga Nisma ka thënë se nga e hëna partita e tij do të japë mendimin rreth kushtetueshmërisë së zgjedhjes së Thaçit si president.
Ai ka dyshime për keqpërdorime që kanë ndodhur në raundin e dytë për shkak të mungesës në sallë të opozitës si dhe numërimin e votave për Rafet Ramën./Insajderi.com