
Djegia e pikave doganore pas shpalljes së pavarësisë së vendit dhe mungesa e kontrollit në dy pikat doganore në veri, tash e 8 vite mundëson kontrabandën me derivate të naftës.
Dëmi financiar, të cilin po e shkakton kontrabanda në veri, i shkakton humbje të mëdha buxhetit të vendit, vlerësojnë zyrtarët shtetëror edhe ekspertët financiar.
Gazeta Zëri raporton se dallimi i çmimeve të derivateve të naftës në veri është shumë i lartë në krahasim me çmimin të cilin e paguajnë qytetarët në pjesët e tjera të Kosovës.
Kështu, një litër naftë në veri të Kosovës kushton nga rreth 72 cent, ndërkohë që çmimi i një litri në pjesët e tjera të Kosovës sillet rreth 90 cent.
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë asnjë plan operacional se si duhet të veprohet për të parandaluar kontrabandën me naftë.
Sasitë e sekuestruara nga Polica dhe Dogana e Kosovës kryesisht janë të vogla.
Madje kontrabanduesit janë bërë aq të fuqishëm financiarisht saqë kanë asfaltuar edhe rrugë dytësore nga i futin edhe autobotet ilegalisht.
Çmimi aq i ultë po i shtyn shumë qytetarë nga Rashka, Novi Pazari, Kraleva, Nishi, Kurshumlia, Prokupla që të vijnë shumë shpesh dhe të furnizohen me derivate të naftës në veri të Kosovës.
Edhe pse cilësia e këtyre derivateve lenë shumë për të dëshiruar.
Në Leposaviq, Leshak, Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës derivatet e naftës vijnë ekskluzivisht nga rafineritë serbe dhe për faktin se tregtarët nuk paguajnë akcizën dhe as tatimet.
Vetëm në një kilometër rrugë janë të vendosura më tepër se 6 pika të karburanteve.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, konfirmoj se kontrabanda në këtë pjesë të Mitrovicës është vështirë të luftohet.
Këtë gjendje e shohin si shumë shqetësuese edhe ata të cilët merren me shitjen e derivateve edhe në pjesën tjetër të Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se kjo ndikon direkt në cilësi. (Zëri)