
Ende nuk ka filluar njohja e diplomave universitare të Republikës së Kosovës në Serbi, ani pse sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, ishte paraparë që kjo të fillojë nga data 1 mars.
Zejni Fejzullahu, përfaqësues i Komisionit për Arsim të lartë në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, ka thënë se problem mbetet hapja e zyrës ndërmjetëse të Asociacionit të Universiteteve Evropiane në Prishtinë, e cila do të verifikonte diplomat sepse Serbia tashmë ka sjell Ligjin për kushtet e veçanta të njohjes së diplomave nga Kosova, njofton RTK.
Nga ana tjetër deputeti i deritashëm në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, shprehet pesimist në seriozitetin e Serbisë për jetësimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan mediumi publik i Kosovës.
Mosnjohja e diplomave ka shkaktuar edhe largimin e shumë të rinjve nga kjo zone.
Por janë qindra të diplomuar në Universitetet e Republikës së Kosovës, të cilët presin njohjen e diplomave të tyre nga Serbia./Insajderi.com