Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës qendrore sllovene, në skenarin fillestar, GDP mund të pritet të bie me 6.5 për qind, ndërsa në vitin 2021 pritet të rritet me 4.9 për qind, dhe në vitin 2022 me 3.6 për qind, transmeton KosovaPress.
Vlerësimet e fundit janë shumë më të favorshme sesa ato të bëra nga banka qendrore sllovene në fillim të epidemisë së koronavirusit në mars, kur rënia e mundshme e GDP-së këtë vit u vlerësua në intervalin 6 deri në 16 për qind, në varësi të efektivitetit të masave për zbutjen e krizave.
Banka e Sllovenisë gjithashtu pret një përkeqësim të mprehtë në tregun e punës. Kështu që këtë vit, pas gjashtë vjet të rritjes, pritet që punësimi të bie me 1.9 për qind dhe shkalla e papunësisë të rritet në 6 për qind.
Sipas parashikimeve makroekonomike të paraqitura sot, deficiti i qeverisë së përgjithshme pritet të kalojë 8 për qind të GDP-së këtë vit.
Ky do të jetë rezultat i rënies së të ardhurave për shkak të situatës së ndryshuar ekonomike dhe një ulje të ndjeshme të GDP-së, si dhe masave të marra për të zbutur efektet e epidemisë, që do të thotë shpenzime më të larta qeveritare, shpjegon Banka e Sllovenisë, duke vlerësuar se borxhi publik do të rritet në rreth 82 për qind të GDP-së.
Banka qendrore sllovene gjithashtu paraqiti dy skenarë alternative, me një më të butë, e cila supozon heqjen e menjëhershme të të gjitha masave kufizuese, duke vlerësuar se rënia e GDP-së këtë vit do të ishte më pak se 4 për qind.
Në një skenar më të pafavorshëm, duke pasqyruar pasojat e një kontrolli të dështuar të virusit dhe një valë të dytë të mundshme të epidemisë në vjeshtë, GDP do të binte me rreth 10 për qind këtë vit, pasuar nga një rimëkëmbje shumë graduale në vitet në vijim, vlerëson Banka qendrore sllovene.