Kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministri Besian Mustafa kanë vizituar projektet e prodhimit të energjisë elektrike nga era në Bajgorë, njëkohësisht ndër investimet më të mëdha të pasluftës në Kosovë. Në…
Kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministri Besian Mustafa kanë vizituar projektet e prodhimit të energjisë elektrike nga era në Bajgorë, njëkohësisht ndër investimet më të mëdha të pasluftës në Kosovë.
Në Bajgorë ata u pritën nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, dhe përfaqësuesit e kompanisë SOWI Kosovo, kompani kjo në pronësi Kosovare, Gjermane dhe Izraelite që ka filluar ndërtimin e tri projekteve të prodhimit të energjisë nga era, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh.
Projektet po ndërtohen në rajonin e Selacit, në Bajgorë deri sa prodhimi i energjisë elektrike pritet të fillojë në vitin 2021.
‘Projektet e prodhimit të energjisë elektrike nga era në Bajgorë janë afër përfundimit. Sipas planifikimeve, në vitin 2021 pritet të fillojë prodhimi i energjisë elektrike nga era, pa ndikim në mjedis. Projektet do të diversifikojnë burimet e energjisë në Kosovë dhe sjellin shumë të mira për qytetarët, në vecanti banorët e Bajgorës, që tani përfitojnë nga investime të shumta në infrastrukturë’, thekson Ilir Grapci, njëri nga pronarët e kompanisë SOWI Kosovo.
Përvec vendosjes së 27 turbinave në Selac për prodhimin e rrymës, projektet parashohin edhe ndërtimin e largpërquesit si dhe investime të shumta në zhvillimin e infrastrukturës të rajonit të Bajgorës, përfshirë edhe rrugët.
Investimet që kapin shumën prej rreth 180 milion eurosh, mbulohen me 58 milion eurosh përmes kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh). Përvec financimit nga BERZH, projekti financohet edhe nga Erste Bank dhe NLB Group deri sa 30% e pjesës së mbetur financohet nga pronarët e projektit.
Ky është projekti më i madh i sektorit privat që BERZh ka nënshkruar në Kosovë deri më tani. Në tërësi, BERZH ka investuar 413 milionë euro në Kosovë.
Projektet e SOWI Kosovo vlerësohen të jenë kyqe në plotësimin e kushteve të përcaktuara të Bashkimit Evropian për Kosovën në kuadër të prodhimit të energjisë së ripërtrishme.
Kur të përfundojë, projekti në Bajgorë do të përfaqësojë rreth 10 për qind të kapacitetit të energjisë në vend dhe do të ndaloj emetimin e 247 mijë ton dyoksid karboni në vit.
Duke prodhuar energji të gjelbër dhe pa ndikim në mjedis, projektet pritet të përmirësojnë furnizimin me energji elektrike në Kosovë, që energjinë elektrike kryesisht e ka të bazuar në linjit dhe thëngjill.