Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, duke i vlerësuar ato si shumë pozitive për subjektin që ai drejton.
“Pjesa e parë e garës përfundoi mbrëmë, prej sot i përvishemi punës për balotazh, synimi ynë është i qartë që kandidatët tonë të fitojnë në këto komuna dhe të kthehet e të vazhdojë qeverisja e mirë”, tha Kurti.
I pyetur për mundësinë e bashkëpunimit me ndonjë parti tjetër në rastet ku do të ketë balotazh, Kurti nuk dha një përgjigje të qartë, por nënvizoi se partia do të bëjë një analizë të thelluar para vendimmarrjes.
“Fokusi i LVV-së gjithandej gjatë kohës është qytetari i Kosovës, si dhe banori i komunës. Por natyrisht që, para balotazhit dhe gjatë fushatave në balotazh, neve na nevojitet që sot e nesër të bëjmë një analizë gjithpërfshirëse dhe të hollësishme, jo vetëm për rezultatin zgjedhor, por edhe për raportin e rezultatit zgjedhor me fushatën që kemi zhvilluar. Vetëm pas kësaj analize do t’i bëjmë planet dhe përgatitjet e duhura për rrugën përpara, gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me ata që janë në udhëheqje me kandidatët që i kemi në balotazh”, tha Kurti, përcjell Insajderi.
Vetëvendosje ka shkuar në të paktën 12 komuna në balotazh, ndërkohë ka fituar në 3 komuna qysh në raundin e parë./Insajderi