Lidhja Demokratike e Kosovës dha shenja se mund t’ia bëjë hyzmetin për çështjen e presidentit sërish Albin Kurtit. Kreu i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, është takuar tri herë me Kurtin për emrin e të parit të vendit. Në takimin e fundit, Kurti u shpreh se pati frymë konstruktive, ndonëse nuk është arritur marrëveshje.
Kurti takoi për të tretën herë sot Abdixhikun, në tentim për t’i bindur 15 deputetët e LDK’së që t’ia votojnë presidentin. E përshkroi në “frymë konstruktive” takimin me kreun e LDK’së, shkruan Insajderi.
15 votat e LDK’së mund t’ia zgjidhin ngërçin e presidentit Kurtit. Bazuar në votimin e kryetarit të Kuvendit, fuqia politike e LVV’së në “Tempullin e Demokracisë” është 66 vota. Me votat e LDK’së, Kurti do të mund t’i arrinte 81 vota, aq sa nevojiten për ta zgjidhur presidentin.
Nga subjekti politik i Kurtit PDK’ja po përshkruhet si kryeneçe. Mefail Bajqinovci i Lëvizjes Vetëvendosje tha se ky subjekt politik ka inate politike.
“PDK-ja do duhej të linte anash inatin politik dhe të ofrojë konstruktivitet. Vendi nuk ka nevoje të shkojë përsëri në zgjedhje“, deklaroi Bajqinovci.
Kësisoj, Kurti sot s’tentoi ta takonte Bedri Hamzën fare, por zgjodhi ta takonte Abdixhikun. Kjo, pasi që Hamza bëri të ditur se nuk e voton Vjosa Osmanin dhe se kërkon që të propozohet një president partiak nga ana e këtij subjekti politik.
Më të butë qëndrimin e ka pasur LDK’ja. Pas takimit të grupit parlamentar të LDK’së, deputeti Besian Mustafa deklaroi se zgjedhjet janë të panevojshme dhe të evitueshme.
“Zgjedhjet janë të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme në këtë fazë të Republikës sonë. LDK-ja është në dy drejtime, është një koncensus i gjerë politik, një kandidat që vjen nga të gjitha partitë dhe e dyta një marrëveshje politike klasike në mes të dy partive, në këtë rast pushtetit dhe LDK-së. Pushteti ka 66 deputetë dhe në asnjë format nuk bëhet pa ta“, deklaroi Mustafa.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë gjatë ditës një prononcim nga deputetë të LDK’së për çështjen e presidentit, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.
Ndonëse po tentojnë të paraqiten si konstruktivë, të njëjtën gjë nuk e bënin edhe për çështjen e kryekuvendarit në legjislaturën e kaluar. Ata refuzonin ta votonin Dimal Bashën për kryetar kuvendi, përkundër që s’pranonin figurën e Albulena Haxhiut.
Edhe po të votohej presidenti nga ky subjekt, kjo nuk do të ishte hera e parë që LDK’ja do t’ia bënte “argatin” Kurtit në këmbim të asgjësë.
Abdixhiku kishte mbajtur një takim në mars të 2021-ës me Vjosa Osmanin përpara seancës për votimin e presidentit. Abdixhiku dhe deputetët e tjerë të LDK’së morën pjesë në votimin e prillit 2021 që zgjodhi Vjosa Osmanin presidente të Kosovës, duke mundësuar kështu kuorumin e nevojshëm, ndonëse me përçarje të brendshme dhe pa mbështetje unanime.
Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj atëbotë kishin refuzuar të merrnin pjesë në votim dhe nuk u përfshinë në proces.
“U dakorduam për t’u takuar përsëri”
Edhe natyra e takimeve të shpeshta LVV-LDK nuk është risi. “U dakorduam që të takohemi edhe nesër“, ishte kryefjala e deklaratave të Albin Kurtit pas çdo takimi që kishte me Isa Mustafën, ish-kryetarin e LDK’së.
Pas dhjetëra takimeve, LVV e LDK kishin arritur ta bëjnë një koalicion, që iu zgjati hiç më shumë se 24 ditë.
Lëvizja Vetëvendosje edhe në mandatin e kaluar ka trokitur në derën e LDK’së, teksa ndaj PDK’së kishte krijuar qasje refuzuese. Kurti i kishte dërguar letër LDK’së, duke i kërkuar koalicion.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?“, thuhej ndër të tjera në letrën ledhatuese të Kurtit.
Madje, ia kujtonte se si LDK’ja s’e kishte problem të kthehej në “marionetë” për pushtet.
“LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV“.
5 marsi është afati i fundit për zgjidhjen e çështjes së presidentit, teksa seanca për votim pritet të mbahet nesër. /Insajderi.org/