Nuk e dimë për ju, por shumë kompani nëpër botë po fillojnë të konsiderojnë të punuarin nga shtëpia edhe pas gjendjes së shkaktuar nga COVID-19.
Canary Wharf – një nga qendrat kryesore financiare të Mbretërisë së Bashkuar, ka filluar të mendojë për një mënyrë të re të punuari pas pandemisë. Bëhet fjalë për të punuarit nga shtëpia, njësoj siç ndodhi gjatë pandemisë.
Të njëjtën gjë po bëjnë edhe shumë kompani të mëdha nëpër botë. Ndër të parat që ka lajmëruar punonjësit se mund të punojnë nga shtëpia përgjithmonë, nëse dëshirojnë, ishte Twitter.
Ashtu si një pjesë e madhe e popullsisë, edhe punonjësit e Canary Wharf kanë punuar nga shtëpia prej shumë javësh, për shkak të coronavirusit. Pritet që vetëm 10-20% e punonjësve të rikthehen në zyrë në javët e ardhshme.
Siç raportoi Financial Times, Canary Wharf ka filluar të mendojë për marrjen e masave, në mënyrë që të sigurojë shëndetin dhe distancimin social.
Por tani e ardhmja e të punuarit në zyrë është vënë në diskutim. Muajin e kaluar, Jes Staley, shefi ekzekutiv i Barclays tha se të pasurit e mijëra punëtorëve të bankës në zyra të mëdha dhe të shtrenjta mund të jetë diçka që do t’i përkasë së shkuarës. Kjo do të thotë se trendi i pandemisë për të punuar nga shtëpia mund të funksionojë edhe pas saj, edhe pse kompanitë e mëdha do të kenë nevojë për zyra qendrore.
Sipas një sondazhi të Chartered Management Institute, 60% e anëtarëve të tij dëshironin ta ndanin punën gjatë javës mes shtëpisë dhe zyrës, pas pandemisë, shkruan Class.
Psikologët e quajnë këtë punë të përzierë dhe thonë se mund të përmirësojë produktivitetin, motivimin dhe kënaqësinë që merr nga puna. Ata thonë se puna në këtë mënyrë u përshtatet njerëzve që janë të motivuar dhe të organizuar, por s’është aspak e përshtatshme për ata që kanë nevojë për udhëheqje apo për ata që s’kanë hapësirë në shtëpi.
Një tjetër avantazh i të punuarit nga shtëpia është se do të shoqërohej me ulje të trafikut dhe më shumë hapësirë në transportin publik.
A do të jetë kjo mënyra si do të punojmë pas pandemisë? Mbetet për t’u parë.