A do të shkarkohet ministri Rakiq? Deklarohet kryeministri Albin Kurti - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    A do të shkarkohet ministri Rakiq? Deklarohet kryeministri Albin Kurti

    Insajderi
    14 October 2021 - 17:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk e ka në plan ta shkarkojë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, që doli kundër vendimit të Qeverisë që të luftojë kontrabandën në të gjithë vendin.

    Të mërkurën, Rakiq e cilësoi aksionin që përfshiu edhe veriun e Kosovës si “Natë të Kristaltë” (pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve). Pas kësaj dhe deklaratave tjera kundër shtetit të Kosovës, shoqëria civile e kërkoi shkarkimin e Rakiqit.

    Megjithatë, në një aktivitet të Vetëvendosjes në Prizren, Kurti ka lënë të kuptohet se kjo s’do të ndodhë.

    “Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë. Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, ka thënë Kurti.

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se shkarkimi i Rakiqit do të ishte vendimi më i paktë që mund të pritej nga secili kryeministër. Madje, sipas tij, në një shtet normal kur ministri vepron kundër rendit kushtetues dhe juridik të shtetit që përfaqëson, do të mund të kishte edhe pasoja që hyjnë në kuadër të domenit penal.

    “Shkarkimi do të ishte mesazh se nuk tolerohen sjellje dhe veprime ndaj askujt që cenon vlerat e mbrojtura me Kushtetutë. Përderisa sipas Kushtetutës së Kosovës dhe pritjeve të publikut në Kosovë, shkarkimi do të ishte vendimi më legjitim i mundshëm dhe që do të promovonte po ashtu edhe ligjshmërinë në Kosovë, fatkeqësisht njëjtë nuk janë duke menduar edhe një pjesë ose disa zyrtarë të lartë të BE-së”, ka deklaruar Miftaraj për KOHËN.

    Duke komentuar deklaratën e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që u shpreh se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”. Madje Borrelli shtoi se të gjitha “çështjet e hapura” duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Sipas Miftarajt, kjo deklaratë e tij sqaron “jashtëzakonisht shumë edhe arsyen pse Kryeministri Kurti nuk merr një vendim lidhur me shkarkimin e z. Rakiq”.

    “Fatkeqësisht, BE-ja përmes z. Borrell, dje dërgoj mesazhin se në çështjet kontestuese mes Kosovës dhe Serbisë, ky mekanizëm sakrifikon edhe vlerat bazë të vetë ekzistencës së Bashkimit Evropian, si të drejtat dhe liritë e njeriut dhe sundimin e ligjit. Në këtë drejtim, krahas trajtimit të rastit Rakiq, Qeveria e Kosovës do të duhej të kërkonte sqarime shtesë nëse deklarata e z. Borrell ishte një lapsus i tij personal apo qëndrim zyrtar i BE-së”, ka shtuar ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    23 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark