Qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje po e ndjekë traditën e parardhësve në pushtet.
Ndonëse kryeministri, Albin Kurti kishte premtuar çkapjen e agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike, aktualisht po vepron ndryshe. Në krye të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, është zgjedhur Faruk Mujka, ish-kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.
Para se të merrte pozitën e kryeshefit ekzekutiv në “Ibër-Lepenc”, Mujka ishte përkujdesur që t’i rehatonte edhe familjarët. Sa ishte nënkryetar i Mitrovicës, Mujka kishte punësuar renë e tij.
Elda Ahmeti-Mujkën, ai e kishte punësuar si kostumografe në Teatrin e Mitrovicës, shkruan Insajderi.
Pasi punësoi renë, Mujka nuk e la keq as gruan e vëllait. Kunatën, Lulzime Peci-Mujka, ai e punësoi në Stacionin e Autobusëve.
Përpos familjarëve, ish-nënkryetari i Mitrovicës kishte punësuar edhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje që shërbenin në stafin e tij.
I “lodhur” nga obligimi për t’i rehatuar akraballakun, Mujka nuk ishte i vëmendshëm gjatë seancave në kuvendin komunal. Pasi nuk i zgjonin interesim, ai kotej gjatë këtyre seancave.
Ditëve në vazhdim mbetet të shihet nëse Mujka do të vazhdoj me punësime familjare edhe nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepenc”. /Insajderi