×
Hulumtime/Analiza

Një dekadë kapje e Ibër-Lepencit – Hajdar Beqa, Lushtaku, vëllai i Agim Veliut dhe në fund Faruk Mujka

Insajderi
05 December 2022 - 13:04

Emërimi i Mujkës së VV’së në krye të “Ibër-Lepencit”, dëshmon se të gjitha partitë politike kanë vepruar njësoj me këtë ndërmarrje: E kanë kapur.  Dekada e kaluar në këtë ndërmarrje ka njohur akte të ngjashme të kapjës. Kishte nisur me PDK’në, kishte vazhduar me LDK’në, ishte rimarrë kontrolli nga PDK’ja për t’ia dorëzuar sivjet Vetëvendosjës.

Ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-lepenc”, ka qenë gjithnjë cak i ndërhyrjeve brutale partiake, sa herë që është ndërruarr pushteti. Është kontrolluar gjithnjë nga partia politike që ka fituar pushtetin. Ndërmarrja që ka afarizëm pozitiv me një qarkullim prej rreth 6 milionë eurosh dhe që nuk ka qenë asnjëherë barrë e Qeverisë, ndër vite ka qenë në fokus të kapjes nga partitë në pushtet.

I fundit që është dërguar politikisht në këtë ndërmarrje është Faruk Mujka, një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje që nuk shquhet për përvojë menaxheriale në fushën e ekonomisë.

Gazeta Insajderi ka analizuar profilet e njerëzve që kanë udhëhequr tash e një dekadë këtë ndërmarrje dhe emrat e tyre tregojnë për interesin e madh të partive politike për ta kapur “Ibër- Lepencin”.

Nisi me Hajdar Beqën

Foto: Hajdar Beqa

Para se Hashim Thaçi të ngjitej në pushtet kishte premtuar depolitizim të ndërmarrjeve publike, ngjashëm siç pati premtuar Albin Kurti në fushatën e fundit zgjedhore.

Mirëpo edhe Thaçi kishte vepruar ngjashëm si Kurti.

Qeveria e udhëhequr nga ai kishte target kapjen e ndërmarrjeve publike. Hajdar Beqa, një aktivist i hershëm i PDK’së ishte emëruar në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjës publike “Ibër-Lepenc”.

Ndërmarrja gjatë mandatit të tij ishte tronditur nga nepotizmi. Punësimi më i famshëm ishte ai i gruas së Adem Grabovcit, shefit të dikurshëm të grupit parlamentar të PDK’së, raporton Gazeta Insajderi.

Njeriu i LDK’së në krye të “Ibër-Lepencit”

Foto: Januz Kabashi

Në kohën kur Thaçi më nuk ishte kryeminister, por në vend të tij ishte Isa Mustafa duhej të ndodhnin ndryshime edhe në ndërmarrjen fitimprurëse publike.

Mustafa kishte gjetur një aktivist të partisë së tij për ta drejtuar ndërmarrjën. E kishte gjetur në Istog.

Në prill të vitit 2016 kontrolli i kësaj ndërmarrje kishte kaluar nga PDK’ja në LDK me emërimin e Januz Kabashit.

Ai para se ta merrte këtë pozitë ishte drejtor komunal në Istog, gjatë qeverisjës komunale të të ndjerit Haki Rugova.

I përzgjedhuri i Isa Mustafës, Januz Kabashi, kishte dhënë dorëheqje pas dy viteve. Në vend të tij ishte emëruar Sami Veliu.

Emërimi i tij nuk kishte qenë i rastësishëm dhe nuk kishte të bënte me respektim të kritereve profesionale të një konkursi publik. Ai plotësonte një kriter tejet të rëndësishëm e vendimtar: Ishte vëllai i Agim Veliut, një prej njerëzve më të fuqishëm në LDK, në vitin 2018.

Ai për një kohë kishte drejtuar këtë ndërmarrje nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, raporton Gazeta Insajderi.

PAN’i në pushtet, pozita i takon Lushtakut

Një luftë e madhe për pozitën e kryeshefit ekzekutiv ishte zhvilluar në vitin 2018.

Sami Veliu, vëllai i Agim Veliut, ndonëse LDK’ja nuk ishte në pushtet synonte që ta mbante këtë pozitë. Kishte konkurruar për kryeshef ekzekutiv. Këtë e kishte bërë për faktin se kryesues i bordit të ndërmarrjës ishte Fatos Sahiti, një ish-këshilltar politik dhe familjar i ish-ministrit Lutfi Zharku, atëkohë një figurë e fuqishme e LDK’së.

Foto: Sami Veliu

LDK’ja synonte që t’ia kapte këtë pozitë PDK’së që kryesonte PAN’in në fillet e pushtetit të tyre.

Por, PDK-ja nuk kishte lëshuar pe. Veliu kishte humbur garën. E kishte fituar Berat Lushtaku, një kushëri i një prej figurave më të fuqishme të PDK-së: Sami Lushtakut.

Kur Vetëvendosje erdhi në pushtet mori vendim që Lushtaku të shkarkohet nga kjo pozitë.

Foto: Berat Lushtaku

Kjo e kishte nervozuar Lushtakun. E kishte krahasuar shkarkimin e tij me largimet që kanë ndodhur në kohën e masave të dhunshme të pushtuesit serb në vitet e 90’ta.

“I jashtëligjshëm dhe i motivuar politikisht”, kështu e kishte cilësuar Lushtaku vendimin për shkarkimin e tij.

Megjithatë, ky vendim ishte i pritshëm. I emëruar gjatë pushtetit të PAN’it do të duhej të zëvëndohej me dikënd të Lëvizjës “Vetëvëndosje”.

Skenar për VV’në, kapja e Ibër-Lepencit nëpërmjet Faruk Mujkës

Foto: Faruk Mujka

Emërimi i Mujkës në krye të kësaj ndërmarrje është kapja e fundit e realizuar nga pushteti.

Një i panjohur në fushën e ekonomisë, por i njohur për aktivitetin partiak në VV do të drejtoj një prej ndërmarrjeve të rralla fitimprurëse në Kosovë.

Mujka nuk shquhet për udhëheqje të ndonjë biznesi apo ndërmarrje publike, por shquhet për punësime të familjarëve të tij gjatë kohës sa ishte në pushtet në Komunën e Mitrovicës.

Punësimi i resë dhe i kunatës së tij kishte bërë bujë në media, para disa viteve.

Po ashtu, Mujka shquhet si përson jo dinamik dhe është bërë objekt talljesh disa herë për kotje në gjumë gjatë seancave të Kuvendit Komunal në Mitrovicë.

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark