×
Analiza

A do të vendosen masa edhe kundër Serbisë? Nga ambasada gjermane flasin për Insajderin

Insajderi
12 July 2023 - 16:25
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjermania është duke e shqyrtuar mundësinë e shqiptimit të masave ndëshkuese edhe ndaj Serbisë përveç, Kosovës. Kështu deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, të hënën. Insajderi ka kërkuar të di edhe nga ambasade gjermane në Prishtinë, se cili është qëndrimi i saj mbi këtë çështje. A duhet ose jo ndëshkuar Serbia për mos zbatim të Ujdisë së Ohrit.

“Duke pasur parasysh situatën e tensionuar – siç bëmë me Kosovën – ne po shqyrtojmë, pra, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në planin dypalësh se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj Serbisë, për shembull duke pezulluar projektet dhe formatet e bashkëpunimit”, tha ministria e punëve të jashtme për DW, të hënën.

Të njëjtin qëndrim po e ndan edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Përmes një përgjigje të shkurt ata kanë deklaruar se “Nuk kemi asgjë për të shtuar në deklaratën e dhënë nga kolegët në Berlin”, duke lënë të nënkuptohet se masat mund të shqiptohen edhe ndaj Serbisë.

Bashkimi Evropian me 28 qershor edhe zyrtarisht i ka shqiptuar Kosovës masa ndëshkuese për shkak të mos-shtensionimit të situatës në veri të vendit.

Masat e shqiptuara ndaj Kosovës

Meqenëse Qeveria Kurti nuk veproi në koordinim me kërkesat e ndërkombëtarëve BE ka vendosur disa masa të përkohshme ndaj Kosovës. Këto masa janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe pritet të ketë pezullim të fondeve të Bashkimit Evropian.

Është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

Programi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 është suspenduar gjithashtu. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor s’janë dorëzuar fare për shqyrtim.

Do të thotë se Kosova s’është përfshirë në ndarjen e një fondi 2.1 miliardë euro që është mirtaur nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Përveç BE-së, kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës  ato që fillimisht kanë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Më 30 maj, SHBA konfirmoi se ka vendosur ta largojë Kosovën nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s ne Ballkan e njohur si “Defender Europe 23” .

Ndërkohë, ajo që pret BE nga Kosova është që të veprojë për de-përshkallëzim dhe të pezullojë operacione policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, që kryetarët e e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre nga objekte të ndryshme dhe zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejt në katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

Çka tha Kurti pas shqiptimit të masave?

Pas shqiptimit të masa nga BE është deklaruar kryeministri i vendit, Albin Kurti. Ai i ka cilësuar të padrejta masat duke shtuar se pret që të jenë të përkohshme e të shkurta. Teksa ka insistuar se “Kosova nuk do te beje kompromis me sundimin e ligjet e as me kushtetutshmërinë e vendit”.

Pavarësisht kërkesës së BE-së ndaj Kosovës, Kurti javë më parë mori edhe një vendim tjetër që nuk ishte në koordinim me aleatët. Qeveria e Kosovës I shpalli si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto dy formacione ilegale, paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Rrena e Xhelal Sveçlës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ishte pyetur nga mediat se a ka qenë qeveria në koordinim me aleatët për ndërmarrjen e këtij vendimi, pra, shpalljen e dy organizatave serbe si terroriste, Sveçla me bindje tha se kanë qenë të koordinuar në këtë hap.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, tha ai gjatë një konference për media pas vendimit.

Kjo deklarate u demantua nga SHBA-të e shtetet e QUNI-it.

SHBA tha Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me ta në këtë vendim, teksa i kanë bërë sërish thirrje kryeministrit Kurti që të përmbahet nga veprimet e njëanshme.

Dy jave pas shqiptimit të masave nga Bashkimi Evropian, Kurti është “zbutur”.

Sot përmes një shkrimi në “Twitter” ka njoftuar për dakordimin që ka arritur me BE-së për sh’tensionimin e situatës në Veri.

Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për deeskalimin në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka publikuar edhe katër pikat e kësaj marrëveshje.

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore, kanë bërë me dije nga qeveria.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark