×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    A e diktojnë fituesin debatet presidenciale në SHBA?

    Insajderi
    01 October 2020 - 22:07

    Nga Mark Mellman

    Ju të gjithë e keni ndjekur tashmë debatin e parë presidencial të së martës mbrëma. Vë bast se keni lexuar shumë komente, që sugjeronin paraprakisht se ky debat mund të “tronditë garën”, të “ndryshojë renditjen  kandidatëve”, apo të ndryshojë edhe rrjedhën e zgjedhjeve dhe të historisë së vendit.

    Ne e duam iluzionin, sipas të cilit aftësitë e shfaqura në debatet presidenciale, shpalosin më së miri vizionet e kandidatëve, dhe e orientojnë elektoratin se kujt t’ia japë votën. Mos i varni shumë shpresat tek këto debate. Në realitet, ato nuk kanë diktuar ndoshta kurrë fituesin e zgjedhjeve presidenciale.

    Majkëll Dukakis, Al Gor, Xhon Kerri dhe Hilari Klinton, i “fituan” debatet e tyre, por asnjëri nuk arriti të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se debatet nuk kanë asnjë efekt, por që efektet e tyre janë zakonisht janë të vogla dhe jo përcaktuese.

    Presidencialet e vitit 1960, përmenden shpesh si një shembulli i famshëm i një debati që ndryshoi historinë, por të dhënat mbi të janë në rastin më të mirë të pakta.

    Xhon F.Kenedi e kishte fituar tashmë debatin e tij të parë përballë Riçard Niksonit, me vetëm 1 për qind më shumë. Pas të gjitha debateve, Kenedi kryesoi në sondazhe me 4 për qind, në një garë që e fitoi në fund me më pak se 1 për qind diferencë.

    Pra brenda marzhit të gabimit të sondazhit para debatit, dhe sigurisht më afër këtij sondazhi sesa sondazhit të kryer pas debatit. Vetëm të dhënat e sondazheve, nuk janë të mjaftueshme për të gjykuar nëse debatet presidenciale bëjnë diferencën, dhe lëre më pastaj nëse përbënë një ndryshim përcaktues në favor të Kenedit.

    Në vitin 1988, Xhorxh H.W.Bush i fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe prej 7 për qind, edhe pse i humbi të gjitha debatet televizive përballë Majkëll Dukakis. Xhon Kerri e mundi të birin e Bushit të vjetër në 3 debate televizive në vitin 2004, por në fund ishte Bush ai që e fitoi garën.

    Disa analistë mendojnë se debatet ishin vendimtare në zgjedhjet e vitit 2000, por të dhënat edhe në këtë rast janë të errëta. Një studim, duke ri-intervistuar të njëjtët individë para dhe pas debateve, sugjeroi një kryesim me 4 për qind të Xhorxh W.Bush.

    Por, sondazhet e televizionit ABC News në atë kohë, sugjeruan se nuk kishte thuajse asnjë lëvizje të shifrave pas debatit të dytë dhe të tretë, me Bushin që vijoi ta ruante kryesimin. Peë raportoi se Al Gor kaloi nga minus 1 për qind në barazim pas debatit të tretë, një ndryshim që është brenda kufirit të gabimit.

    Përballjet televizive mes Hilari Klintonit dhe Donald Trumpit në vitin 2016, janë më të vështira për t’u analizuar. Pjesërisht pasi aty ndërhynë edhe ngjarje të tjera, si kaseta e “Access Hollywood”, duke e bërë të pamundur ndarjen veçmas të ndikimit të debatit.

    Pavarësisht gënjeshtrave të Trump, nuk ka asnjë dyshim se votuesit i dhanë fitoren Klintonit në të tria debatet, me diferenca që varionin nga 5 në 40 për qind. Por çfarë efekti patën fitoret e debateve në ditën e zgjedhjeve?

    Para debateve, Klinton udhëhiqte në sondazhe me një mesatare prej 2.3 për qind. Pas debateve, dhe pas skandalit të “Açess Hollywood”, dhe një larmie zbulimesh të tjera skandaloze mbi Trump, epërsia e Klintonit ishte mesatarisht rreth 4.75 për qind – një rritje e vogël, por potencialisht e rëndësishme me rreth 2.5 për qind.

    Sidoqoftë, avantazhi i Klintonit me 2.3 për qind në prag të debatit, u tregua se ishte më afër diferencës së saj në fitoren në zgjedhje të votës popullore (2.1 për qind) sesa avantazhi i saj pas debatit. Pra edhe në vitin 2016, është e vështirë të thuhet se debatet patën ndonjë ndikim të madh.

    Sigurisht, historiku i shkurtër nëpër debatet e të kaluarës, nuk mund të thotë asgjë për debatet e pazakonta, dhe jashtë sferës së përvojës historike. Për shembull, mund të ketë një ndikim më të madh nëse një kandidat rrëzohet para kamerave, apo del në mënyrë demonstrative nga skena në mes të debatit, i zemëruar nga pyetjet e moderatorëve.

    Donald Trump është krejtësisht i aftë për këto dhe sjellje të tjera të çuditshme, larg normës që kanë ngjarje të tilla. Por që të ndryshojë dinamika e këtyre zgjedhjeve, duhet që Xho Bajden të performojë në një mënyrë unike negative.

    Ju e dini tashmë se çfarë ndodhi të martën. Dhe skenari me negativ për Bajden, nuk ka gjasa të ndodhë në 2 debatet e tjera. Prandaj ka gjasa që të jemi edhe një herë dëshmitarë të një spektakli politik kombëtar shumë interesant, që megjithatë do të ketë pak ndikim real në rezultatin e zgjedhjeve.

    Shënim: Mark Mellman, është president i “Mellman Group”, që ka ndihmuar në zgjedhjen e 30 senatorëve, 12 guvernatorëve dhe dhjetëra anëtarëve të Kongresit Amerikan. Ai ka qenë president i Shoqatës Amerikane të Konsulentëve Politikë. / The Hill – Bota.al

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark