×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    A e përmirësoi Kurti komunikimin me ndërkombëtarët një ditë pas bërtimës së Escobar?

    Insajderi
    13 March 2024 - 16:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E quante falje tokash. Por, një ditë pas qortimit që mori për “probleme komunikimi” nga amerikanët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori vendim që ta zbatonte vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit për dhënien në pronësi të 24 hektarëve përreth objektit religjioz ortodoks ku kryejnë ritet fetare komuniteti serb. Kurtit s’iu deshën as 24-orë të plota nga qortimet e emisarit amerikan të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, që ta bënte një prej shumë “kompromiseve të pashkelura” si formë kompensimi për raportet e Qeverisë Kurti me SHBA’të.

    Gazeta Insajderi

    Instancat më të larta të diplomacisë amerikane adresuan kritikat e tyre për komunikim me Qeverinë Kurti. Ishte zyrtari i lartë amerikan, James O’Brien, që ngriti shqetësim për mos-koordinim të ekzekutivit me Kurtin në krye me përfaqësuesit amerikanë. O’Brien në shkurt të këtij viti thoshte se Kurti po merr vendime “në mes të natës” kur e kritikonte vendimin për rregulloren e re të BQK’së.

    “Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, deklaronte O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Për t’i jehuar acarimet SHBA-Qeveria Kurti, vetëm një ditë më pas ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte ftuar konferencë të jashtëzakonshme. Ai në atë konferencë potenconte dëmtimin e raporteve, pas tentimit të ministrave të Kurtit për t’i përshkruar si të mira.

    “Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata”, deklaronte Hoveiner.

    Së fundi, kokëfortësisë së Kurtit vule i dha Escobar. Ai në një konferencë për shtyp tha se SHBA po ka probleme me kryeministrin Kurti. Madje, ai thoshte se s’ishte vetëm SHBA’ja që e kishte një problem të tillë.

    “Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, deklaroi emisari amerikan dje.

    S’iu deshën as 24-orë që Kurti t’ua bënte qejfin ndërkombëtarëve. Në mbledhjen e Qeverisë së të mërkurës, ka njoftuar se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit, që t’i kalojnë në pronësi kësaj të fundit.

    Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se përfaqësues të shteteve të QUINT’it dhe akterë të rëndësishëm politik e kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.

    “U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ky vendim i çuditshëm i padrejtë dhe ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje. Ne si qeveri nuk kemi më mjete legale për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kurti.

    Ai tentoi ta “zbusë” paksa situatën për ndjekësit e tij, duke thënë se s’do të ndryshojë qëndrim ndaj “këtij vendimi të dëmshëm”.

    “Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm historik por edhe hap gjigant drejt njohjes së pesëshes”, deklaroi tutje shefi i Qeverisë.

    Për këtë çështje, Kurti njoftoi me përplot entuziazëm se kryediplomatja Donika Gërvalla s’priti hiç, duke i dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

    Kontradiktat e Kurtit, qëndrimet e tij në të kaluarën për Manastirin e Deçanit

    Ndonëse e promovoi si vendim në të mirë të Kosovës, Kurti ndizte “turbinën patriotike” çështjen e 24 hektarëve tokë përreth Manastirit të Deçanit.

    Ai në televizionin publik dilte dhe e quante vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit si “vendim të regjimit të Millosheviqit”.

    “Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, deklaronte ai.

    Ai thoshte se me zbatimin e vendimit, Kosova do të kthehej mbrapa.

    “Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”.

    Siç e quante ai, faljen e tokave të Manastirit të Deçanit, e kundërshtonte edhe përmes komunikatave të VV’së. Vetëvendosje shprehej kategorikisht kundër vendimit të zbatimit të Gjykatës Kushtetuese për dhënien e 24 hektarëve të pronave përreth Manastirit të Deçanit kësaj të fundit.

    Vetëvendosje, partia në pushtet, në një komunikatë përpara tetë vitesh thoshte se vendimi i Kushtetueses isthe i papranueshëm dhe përmes tij “legjitimon edhe politikat fashiste, kolonizuese e gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve”.

    “Është e habitshme se si institucione të larta si Gjykata Kushtetuese marrim një vendim për të legjitimuar vendimet e një regjimi që u cilësua si regjim kriminal e gjenocidal nga e gjithë bota në atë kohë”, thuhej në komunikatë.

    “Më pak e habitshme është përkrahja që Hashim Thaçi i bën këtij vendimi duke qenë se për këtë të fundit jemi mësuar që më shumë se një mungesë ndjeshmërie të shohim një gatishmëri të hapur për të japë territore në pushtete lokale brenda e jashtë vendit”, vijonte komunikata.

    Krerët e misioneve të vendeve të QUINT, më shumë se dhjetëra herë i kanë kërkuar qeverisë që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark