17:05 - 09 Gusht 2022

Për Presidenten Vjosa Osmani shpëtim po dalin të jenë ngjarjet që po ndodhin në Kosovë, siç është rasti me Sunny Hill, apo Mainfesta, apo edhe Veriu, falë të cilave realizoi edhe aktivitetet  fundit. Presidentja nuk ka arritur të konceptojë  ndonjë agjendë politike apo të identifikohet me disa çështje të rëndësisë publike, thotë Profesori Blerim Latifi. Pika e fortë e saj janë intervistat në anglisht. Çfarë po bën Vjosa Osmani së fundmi?

Vizita në Shtetet e Bashkuara dhe takimi me Sekretarin Anthony Blinken është kryengjarja që e aktivizoi Presidenten Vjosa Osmani. Atje shkoi e shoqëruar nga Kryeministri Kurti. Edhe tensionet në Veri, pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet, për të cilat u deklarua vetëm pas një takimi rreth mesnate me Kryeministrin Kurti dhe ambasadorin amerikan. Këto ndodhën në fund të korrikut.

Ardhja e Dua Lipës ringjalli edhe agjendën e Presidentes Osmani për javën e fundit. Nikoqire bashkë me burrin dhe vajzat e saj, Presidentja njëherë e priti këngëtaren në zyrë, e pastaj shkoi në festivalin “Sunny Hill”. Pati një mal me kritika, pse kishte marrë familjen në Presidencë, për t’i privilegjuar me një takim me Dua Lipën. 

Anash agjendës ditore të Presidentes, profesori Blerim Latifi, që përcjell politikën në vend, thotë se Osmani nuk ka arritur të konceptojë një agjendë të sajën politike.

“Nga ajo që kemi parë deri më tani, mund të thuhet se presidentja nuk ia ka dalë ta konceptojë dhe ta realizojë një agjendë politike të pavarur të saj. Kur themi agjendë politike, nuk e kemi fjalën për agjendën e takimeve protokolare, të cilat, në fund të fundit, nuk prodhojnë ndonjë gjë të rëndësishme”, thotë Latifi në një përgjigje për Gazetën Express.

Presidentja Osmani kishte futur në agjendë të saj vizitën e qyteteve në Kosovë. Kalonte një pjesë të ditës së saj në një qytet a një tjetër. Por, tentativa për ta kthyer në traditë këtë duket se ka ngecur së fundmi. 

Kur Profesori Latifi flet për konceptim dhe realizim të një agjende të Presidentes, ai e përshkruan se si do të duhej ta bënte këtë Osmani.

“Një president apo presidente duhet te identifikohet me disa çështje të rëndësisë publike, avancimin e te cilave duhet ta marrë përsipër. Deri më tani, në këtë drejtim, nuk kemi parë ndonjë kreativitet”.

Presidentja vazhdon të flasë aty ku ka hapësirë që të japë mendim të bashkërenduar me Kryeministrin Kurti. Ndërsa, ka shumë çështje me interes për të cilat Presidentja nuk ka folur fare. Edhe kur kërkohej me ngulm një mendim i saj. As kur është shkelur Kushtetuta.

Muajve të fundit, Presidentja lajmërohej nga viset e largëta në botë, si për shembull në disa shtete të Amerikes Latine. Profesori Latifi i sheh këto si “të padobishme”.

“Sa i përket politikës së jashtme, presidentja nuk duhet të humbasë kohë në vizita të padobishme në vende të cilat nuk kanë kurfarë impakti në problemet më të cilat po ballafaqohemi si shtet. Natyrisht ajo mund t’i bëj ato vizita, por në fund duhet të dijmë se çka përfiton shteti prej tyre…”, thotë Latifi.

Ndonëse, sipas statusit që i jep Kushtetuta, Presidentja supozohet të përfaqësojë unitetin e popullit, s’ka lëvizje në përmirësim të raporteve të saj me opozitën.

Me PDK-në i ka pasur gjithmonë të tilla, ndërsa ajo akuzohet edhe nga ish-partia e saj, LDK-ja, më konkretisht nga ish-kolegu i saj Lumir Abdixhiku, për anshmëri të Presidentes kah partia që është në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, së fundmi, pas tensioneve të 31 korrikut në veri, përfaqësuesit opozitarë, refuzuan t’i shkojnë në një takim me Presidenten Osmani.

Shefja e shtetit, që nuk shihet shumë në media vendore, jep shumë shpesh intervista në mediat e huaja.