Nga Brian Klaas
Kur themi “Askush nuk është mbi ligjin”, kjo nuk është e vërtetë. Në fakt disa njerëz janëmbi ligjin. Për shembull, në qytetin e Nju Jorkut të dërguarit zyrtarë në Kombet e Bashkuara dhe familjet e tyre kanë imunitet diplomatik. Ata nuk mund të ndiqen penalisht për shumicën e krimeve.
Fatmirësisht, kjo mbrojtje nuk i nxit zakonisht ambasadorët të shndërrohen në vrasës serialë. Por historia është pak më ndryshe kur bëhet fjalë për shkeljet seriale sa i përket parkimit të makinave. Për njujorkezët që e kanë me nxitim, të parkuarit makinën në një vend ku nuk lejohet ka një kosto.
Gjobat mund të variojnë nga 65 deri në115 dollarë. Por për diplomatët, analiza kosto-përfitim e këtyre shkeljeve, dikur ishte pa asnjë kosto. Formalisht gjobat vendoseshin, por askush nuk do t’i paguante ato. Targat diplomatike ofronin një tundim të madh për të mos respektuar rregullat dhe ligjet.
Ndër5 vite, 1997-2002, diplomatët e Kombeve të Bashkuara kishin mbi 150.000 gjoba parkimi të papaguara, pra më shumë se 80 të tilla në ditë. Në total bëhej fjalë për një faturë që i kalonte 18 milionë dollarë. Në vitin 2002, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumbergvendosi t’i jepte fund kësaj situate.
Administrata e tij nisi zbatimin e një rregulli “tre gjoba, dhe jeni të skualifikuar”, sipas të cilit çdo automjet me targa diplomatike, me më shumë se 3 gjoba parkimi të papaguara do të humbiste targat e tij diplomatike. Departamenti i Shtetit u hoqi brenda një dite targat speciale 30 konsullatave të huaja.
Kjo është ajo që sociologët e quajnë “eksperiment natyror”, sepse ka ndodhur pa ndërhyrjen e ekipeve kërkimore. Por ndërsa eksperimentet natyrore nuk zhvillohen në laborator, ato ndjekin të njëjtën logjikë. Ashtu si eksperimentet në mjekësi, ato përfshijnë një grup trajtimi dhe një grup kontrolli.
Ekonomistët, Rejmond Fisman i Universitetit të Bostonit dhe Eduard Miguel i Universitetit të Kalifornisë, analizuan të dhënat për të parë se çfarë modelesh mund të gjenin. Nëse po përpiqeni ta merrni me mend se çfarë zbuluan, atëherë i përkisni ndoshta njërit nga dy kampet.
Kampi i parë beson se ata që parkojnë ilegalisht, janë ndoshta thjesht shkelës të pavëmendshëm të rregullave. Ose je një parkues i paligjshëm, ose nuk je, në të njëjtën mënyrë që je ose jo një narcizist. Kampi i dytë nuk fajëson individin, por e sheh sjelljen individuale si produkt të kulturës apo kontekstit.
Ndoshta parkuesit e paligjshëm vijnë nga një shoqëri, ku zyrtarët kanë bindjen se rregullat nuk vlejnë për ta. Ose që ndoshta njerëzit mendojnë ta shkelin ose jo ligjin, bazuar në shanset që kanë të përballen me pasojat. Pra, çfarë zbuluan Fisman dhe Miguel?Provat e tyre mbështetën në mënyrë vendimtare mbi shpjegimin e elementëve të kulturës dhe kontekstit. Kështu, kishte dallime të mëdha tek ata që shkelnin rregullat e parkimit para forcimit të masave. Diplomatët nga vende si Suedia, Norvegjia dhe Japonia kishin zero gjoba parkimi të papaguara gjatë periudhës 5-vjeçare.
Edhe kur kishin mundësi t’ia hidhnin pa lagur, ata luajtën sërish sipas rregullave. Nga ana tjetër, diplomatët nga Kuvajti kishin mesatarisht 249 gjoba parkimi për çdo diplomat. Nëntë vendet e tjera bënin pjesë në 10-shen e vendeve më abuzuese me rregullat, dhe që janë edhe vendet më të korruptuara:Egjipti, Çadi, Sudani, Bullgaria, Mozambiku, Shqipëria, Angola, Senegali dhe Pakistani.
Pra është e qartë se kulturat e korrupsionit kishin një efekt drastik në sjelljen individuale të diplomatëve. Por kishte rëndësi edhe shpejtësia e zbatimi i ligjit. Për diplomatët e vendeve të korruptuara që parkonin ilegalisht, rregulli i ri ua korrigjoi sjelljen gati brenda natës. Kështu,Kuvajti shkoi nga një mesatare prej rreth 250 gjobash të papaguara për çdo diplomat në një mesatare prej vetëm 0.15. Brenda pak ditësh, diplomatët nga Çadi po silleshin njësoj si diplomatët nga Norvegjia, të paktën sa i përket mënyrës se si i parkonin makinat e tyre.
Kultura ka rëndësinë e vet, por po aq edhe pasojat ndëshkimore. Dhe nuk është vetëm parkimi. Një efekt i ngjashëm u zbulua në Itali, ku ekziston një ndarje e fortë rajonale sa i përket korrupsionit.
Italia e Jugut – vendlindja e mafias – ka shumë më tepër korrupsion se Italia e Veriut. Studiuesit Andrea Ikino dhe Xhovani Maxhi, ngritën pyetjen se sa ndikon kjo kulturë në sjelljen e njerëzve edhe kur ata largohen nga zona ku janë rritur. Për ta kuptuar këtë, ata përdorën një tjetër eksperiment natyror.
Ata studiuan dominimin e asaj që ata e quajnë sjellje “shkurtore” – si mungesa apo sjellje të tjera të pahijshme në vendin e punës – midis punonjësve në një bankë kombëtare, e cila ka degë në të gjithë Italinë. Ata identifikuan punonjës që transferoheshin nga një rajon në tjetrin, bankierë të lindur në jug që transferoheshin në veri ose anasjelltas.
Gjetjet e tyre ishin të ngjashme me ato të studimit mbi mënyrën e parkimit:kultura kishte rëndësinë e saj, por po ashtu edhe sistemet lokale në të cilat ata punonin. Shumica e punonjësve që u zhvendosën në veri filluan të sillen më mirë, ndërsa shumica e punonjësve që u zhvendosën në jug filluan të sillen më keq.
Madje, ne sillemi ndryshe në varësi të mënyrës se si besojmë se funksionon një sistem, dhe jo se si funksionon ai në të vërtetë. Kili, një demokraci e fuqishme në Amerikën e Jugut, ka nivele të ngjashme të korrupsionit si Tajvani, Spanja, Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, siç vë në dukje Andres Liberman i Universitetit të Nju Jorkut, kilianët qeshin kur lexojnë histori për të huajt – shpesh amerikanë – të cilët supozojnë se çdo vend në jug të kufirit të tyre është i korruptuar deri në palcë. Kur ndalohen nga policia, disa turistë amerikanë përpiqen t`i korruptojnë policët kilianë, akt që përbën një krim.
Në vendlindjen e tyre në Kaliforni ose Konektikat, ata nuk do të guxonin t’i jepnin ryshfet një oficeri policie. Por në Kili, ata janë të gjithë shumë të gatshëm që ta provojnë. Por kjo u kthehet në një bumerang. Disa përfundojnë në burg me akuzën për tentativë ryshfeti, dhe e gjitha kjo për shkak të një besimi të rremë për mënyrën se si funksionon një sistem.
Pra sjellja e keqe e tyre, nuk buron ekskluzivisht nga karakteri i keq. Këto të dhëna janëshumë të rëndësishme për të kuptuar nëse pushteti i bën njerëzit edhe më të këqij nga sa janë. Por nëse fajin e ka sistemi, atëherë ne duhet të synojmë të ndërmarrin reforma tek ai. Por nëse fajtor është një një individ që bën zgjedhje të këqija, ne duhet të synojmë reforma që vendosin në krye të sistemit njerëzit më të mirë – ose të paktën në përpjekjen për t’i bërë njerëzit e këqij të sillen më mirë.
Marrë me shkurtime nga “Foreign Policy” – Bota.al.