×
  • Op-Ed
  • Op-Ed / Opinione

    A mund ta rrëzojnë regjimin protestat në Iran?

    Insajderi
    13 October 2022 - 22:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Cornelius Adebahr “Carnegie Europe”

    Imazhet që na vijnë këto ditë nga Irani janë prekëse dhe disi mashtruese. Ato përpiqen të tregojnë forcën dhe guximin e një brezi të ri iranianësh, të cilët duan qartazi të rrëzojnë një regjim tejet represiv. Lëvizja e protestës e lindur këtë herë nga zemërimi që shkaktoi vdekja e Mahsa “Jina” Amini nga e ashtuquajtura “polici e morali”, dhe e nxitur kryesisht nga gratë që kërkojnë një pjesëmarrje të barabartë në shoqërinë e tyre, synon të arrijnë atë që nuk kanë mundur ta arrijnë dekada të tëra “reformiste”.
    Asnjë politikë e moderuar dhe as shpërthimet e përsëritura të protestave nuk kanë mundur ta bëjnë diçka të tillë në të kaluarën. Megjithatë, ato janë gjithashtu disi mashtruese pasi sugjerojnë se ndryshimi do të ndodhë këtë herë. Atëherë, cilat janë shanset që marshuesit të kenë sukses në thirrjet e tyre për Jin, Jiyan, Azadi apo Zan, Zendegi, Azadi – “Gra, jetë, liri”, përkatësisht në gjuhën kurde dhe atë perse?
    Sidoqoftë, mënyra se si ndodhi revolucioni i viteve 1978-1979 kundër Shahut, është një shembull paralajmërues. Edhe shembuj të tjerë të dekadës së fundit mbi përpjekjet për të rrëzuar nga pushteti një diktator të pamëshirshëm, nga Bjellorusia në Siri dhe Venezuelë, nuk janë veçanërisht inkurajuese.
    Por kjo nuk do të thotë se njerëzit dhe qeveritë në mbarë botën, nuk duhet të tregojnë solidaritetin e tyre, dhe të bëjnë çfarë kanë në dorë për të mbështetur tranzicionin paqësor të Iranit drejt një shoqërie të lirë, demokratike dhe të begatë. Por për të pasur ndryshime pozitive në këtë vend, duhet vetëm shumë më tepër sesa vazhdimi i protestave në rrugë dhe thirrjet për sanksione të reja ndaj regjimit iranian.
    Është e qartë se protestat aktuale ndryshojnë nga valët e mëparshme, pasi ato po bashkojnë njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe qytetet në të gjithë vendin. Ata nuk po kërkojnë thjeshtë reforma, por po shfaqin përbuzjen e tyre të plotë për Republikën Islamike. Megjithatë, në dallim nga Lëvizja e Gjelbër e vitit 2009, dhe ngjashëm me trazirat e shkaktuara nga vështirësitë ekonomike gjatë viteve 2017-2019, atyre u mungojnë udhëheqësit dhe një axhendë politike e qartë.
    Pikërisht për shkak të parullave kundër sistemit që janë brohoritur në këto marshime,
    regjimi është i vendosur të mos lëvizë asnjë centimetër nga qasja e tij. Ai e ka përmirësuar kapacitetin për ta shtypur mendimin kundër, nëpërmjet mbytjes prej një dekade të aktivizmit qytetar, rritjes së kontrollit ndaj internetit.
    Por edhe përmes taktikave të dhunshme të policisë, që nëse është e nevojshme, i dërgon banditët e saj të veshur si civilë për të bërë punët më të ndyra. Madje për të mposhtur lëvizjet që në fillim, ajo ka praktikuar edhe arrestimin “parandalues” të avokatëve, gazetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile.
    Pavarësisht disa lëshimeve mbi çështjen e “veshjes së duhur” për gratë, “xhindi” ka dalë tashmë jashtë “shishes”. Duke treguar një shpërfillje të dukshme për jetën e njerëzve, regjimi e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm për ndonjë reformë thelbësore sipas asaj që po kërkojnë njerëzit në rrugë.
    Për më tepër, ata që janë përgjegjës për shtypjen brutale të protestave janë me shpatulla pas murit, pasi e dinë se me rritjen e numrit të të vrarëve nuk kanë gjasa që t’i shpëtojnë ndëshkimit në rast se nuk vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Ata nuk duan që të shiten nga regjimi nëse nivelet më të larta të sistemit vendosin se duhet një farë kompromisi me protestuesit, dhe as nuk dëshirojnë të mbajnë përgjegjësi pas një përmbysjeje të mundshme të pushtetit.
    Mosha e thyer e Udhëheqësit Suprem dhe problemet e tij shëndetësore e bëjnë të pamundur ndonjë lëshim. Duke qenë në detyrë për më shumë se 33 vjet, Ajatollah Ali Khamenei i ka kaluar vitet e fundit duke u siguruar që sistemi të mbijetojë edhe pas vdekjes së tij.
    Lejimi i marrjes nën kontroll të të gjitha degëve të qeverisë nga përfaqësuesit e vijës së ashpër, përmes zgjedhjes së diktuar verën e kaluar të presidentit Ebrahim Raisi – që në gusht forcoi masat për kodin islamik të veshjes – ishte i qëllimshëm, dhe jo një hap i gabuar që do të korrigjohej më vonë.
    Nëse kësaj i shtojmë leksionin që përvetësuan revolucionarët iranianë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik (edhe sa kohë mbeti president Mikhail Gorbachev pasi kreu disa reforma thelbësore?) dhe kundër-shembullin e Kinës (me Deng Xioaping që shtypi me gjak protestën në Sheshin Tiananmen për të ruajtur pushtetin e partisë), bëhet e qartë se ky regjim nuk do të largohet lehtë.
    Sigurisht, protestat aktuale mund të jenë fillimi i fundit të Republikës Islamike.

    Por që të ndodhë kjo, ato duhej jo vetëm të mbështeteshin përballë brutalitetit të pandërprerë të regjimit, por të shndërroheshin në një lëvizje të organizuar rreth një programi – që në mënyrë ideale shkon përtej “vdekjes së diktatorit” – dhe disa strukturave drejtuese.
    Ndërsa revolucionarët islamikë të vitit 1979 mund të mbështeteshin tek rrjeti i xhamive dhe klerit brenda vendit, sot nuk ekziston asgjë e krahasueshme në kanalizimin e trazirave. Dhe në mungesë të një organizimi të tillë, demonstratat ose mund të shtypen, si në të kaluarën,
    ose mund të bëhen më të dhunshme ndërsa njerëzit bëhen më të dëshpëruar.
    Ndërsa paranoja e regjimit ndaj minoriteteve në rajonet periferike është shpeshherë e tepruar, protestat më të dhunshme deri më tani janë zhvilluar pikërisht në provincën Sistan-Baluchistan, në kufi me Pakistanin. Po ashtu, meqenëse Amini është kurde, vdekja e saj ka nxjerrë në pah ankesat e kahershme të kurdëve që trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Ndërkaq, provincat e populluara nga arabët në perëndim të vendit, kanë përjetuar vazhdimisht protesta për çështje sociale ose mjedisore. Së fundi, çdo rezistencë e armatosur mund të sigurohet natyrshëm përmes kontrabandës së armëve në rajonet kufitare.
    Edhe për shkak të frikës nga shpërbërja e vendit nëse trazirat do të kenë sukses, udhëheqja aktuale në Terehan duket e vendosur të vazhdojë me qasjen e saj brutale. Thuhet se Garda Revolucionare po depërton tek forcat e policisë dhe ushtrisë për t’u siguruar që këto institucione të mos lëkunden.
    Nga ana tjetër, nëse do të jetë e nevojshme heqja e kredencialeve islamike të regjimit për
    të rifituar mbështetjen e popullsisë, duhet pritur që këta elementë të tentojnë një pushtim ushtarak në emër të kombit iranian. Sado inkurajuese janë imazhet e protestave të vazhdueshme, duket se ka përpara një rrugë ende të gjatë që të bëhen realitet ëndrrat dhe shpresat demokratike të brezit aktual të “revolucionarëve”, por edhe të prindërve dhe gjyshërve të tyre që marshuan në vitin 1979, për një Iran të lirë dhe liberal.

    Shënim:Cornelius Adebahr, anëtar i think-tankut Carnegie Europe. Hulumtimet e tij përqendrohen tek politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, sidomos në lidhje me Iranin dhe Gjirin Persik. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark