Përktheu nga Arabishtja: Zyhdi Hajzeri – Jurist dhe anëtar i Qendra Evropiane për Studime të Luftës kundër Terrorizmit dhe Inteligjencës – Gjermani dhe Holandë (ECCI).
Në korrik 2025, një grup nga agjencitë kryesore britanike të sigurisë, të cilat merren me luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare, nxorrën një paralajmërim urgjent për prindërit, duke i vënë në dijeni për rritjen e rreziqeve që fëmijët mund të përballen gjatë përdorimit të internetit, veçanërisht në kuadër të zhvillimeve të shpejta të teknologjive dixhitale dhe të mënyrave në rritje të shfrytëzimit nga grupet ekstremiste.
Ky paralajmërim është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta, të pazakonta deri më tani, pasi policia e luftës kundër terrorizmit, shërbimi sekret britanik MI5 dhe Agjencia Kombëtare për Luftën Kundër Krimit publikuan një deklaratë të përbashkët, duke theksuar nevojën për vigjilencë më të madhe ndaj aktiviteteve online të fëmijëve.
Përdorimi i mjeteve të mbikëqyrjes
Deklarata fton prindërit të jenë aktivë në jetën dixhitale të fëmijëve të tyre, duke zhvilluar dialog të rregullt mbi sigurinë në internet, duke diskutuar rreziqet e mundshme dhe duke përdorur mjete të mbikëqyrjes prindërore në pajisjet inteligjente dhe router-at. Agjencitë e sigurisë theksuan se mjetet teknologjike vetëm nuk mjaftojnë; prindërit duhet të kombinojnë ndërgjegjësimin e vazhdueshëm me mbikëqyrjen efektive, pasi fëmijët ekspozohen pothuajse çdo ditë ndaj llojeve të ndryshme të përmbajtjes ekstremiste.
Autoritetet theksuan se përmbajtja më e rrezikshme për të miturit përfshin materiale propagandistike të lidhura me organizata terroriste, ideologji ekstremiste të shpërndara në mënyra të fshehta dhe tërheqëse për fëmijët dhe adoleshentët. Disa prej tyre, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e Qendrës për Luftën Kundër Terrorizmit dhe Agjencisë Kombëtare për Luftën Kundër Terrorizmit, shpesh nuk kuptojnë rrezikun e asaj që lexojnë ose me të cilën ndërveprojnë.
Trajtimi i ekstremizmit dixhital në zhvillim të shpejtë
Vicky Evans, koordinatore kombëtare e programit “Prevent” për parandalimin e terrorizmit përmes komunitetit, tha: “Trajtimi i çështjeve të sigurisë në internet në këtë botë dixhitale që zhvillohet me shpejtësi mund të duket sfidues dhe i lodhshëm, por ne besojmë se fuqizimi i fëmijëve me njohuri dhe vetëdije është linja e parë e mbrojtjes kundër rreziqeve.”
Ajo shtoi: “Qëllimi është që fëmijët të jenë në gjendje të dinë hapat e duhur që duhet të ndërmarrin në rast se ndeshin përmbajtje të papërshtatshme ose të dyshimtë në internet, qoftë ajo e lidhur me dhunën, ekstremizmin ose shfrytëzimin.”
Alexander Murray nga Agjencia Kombëtare për Luftën Kundër Krimit tha: “Ekziston një kërcënim që po rritet shpejt, ai i grupimeve ekstremiste që veprojnë plotësisht online, dhe shumica e anëtarëve të tyre janë adoleshentë meshkuj.” Ai shtoi: “Këto grupime nuk merren vetëm me shpërndarjen e ideve ekstremiste, por angazhohen në një spektër të gjerë krimesh, përfshirë mashtrim financiar, sulme kibernetike, dhunë dhe krime të lidhura me ekstremizmin dhe terrorizmin.”
Ky fenomen tregon një tendencë të përgjithshme të angazhimit të moshave më të reja në aktivitete të paligjshme ose të rrezikshme. Statistikat e MI5 tregojnë se në vitin 2023 u regjistrua numri më i lartë i arrestimeve të të rinjve që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave, me 219 të hetuar për çështje terrorizmi, nga të cilët 42 ishin nën 17 vjeç. Në vitin 2024, numrat mbetën shqetësues, me 39 të rinj të hetuar për akuza të ngjashme.
Në një deklaratë, drejtori i përgjithshëm i MI5, Sir Ken McCallum, shprehu shqetësim të madh për këtë trend, duke theksuar: “Çfarë shqetëson më së shumti është se qasja tek grupet terroriste të rrezikshme është e mundur me vetëm disa klikime, duke lejuar fëmijët dhe adoleshentët të lidhen direkt me to dhe të ekspozohen ndaj përmbajtjes së dhunshme dhe të mbushur me ide ekstremiste.”
Rezultatet
Paralajmërimet e agjencive britanike të sigurisë tregojnë rritjen e rrezikut që fëmijët dhe adoleshentët të ekspozohen ndaj përmbajtjes ekstremiste dhe të dhunshme online. Deklarata e përbashkët midis MI5, Policisë së Luftës Kundër Terrorizmit dhe Agjencisë Kombëtare për Krimin reflekton një kuptim në rritje se interneti është bërë një fushë kryesore për rekrutimin dhe udhëheqjen e fëmijëve drejt ekstremizmit.
Shqetësuese është se fenomeni po zgjerohet, dhe MI5 raporton një rritje të paprecedentë të numrit të adoleshentëve të përfshirë në aktivitetet terroriste.
Në të ardhmen, pa strategji efektive të mbikëqyrjes dixhitale dhe edukimit familjar, Britania mund të përballet me një valë të “terroristëve të mitur”.
Kjo dukuri kërkon një përgjigje të dyfishtë: teknologjike, përmes mjeteve të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, dhe edukative, përmes dialogut të hapur midis prindërve dhe fëmijëve, për të forcuar rezistencën psikologjike dhe mendore ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit.