Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se treni serb është provokimi i radhës që Serbia i ka bërë Kosovës pas arrestimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Provokimet e njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Kosovës, janë rezultat i politikës nënshtruese të Qeverisë së Kosovës dhe qasjes së gabuar në bisedimet me Beogradin, thotë AAK.
“Reagimi i Qeverisë për këtë ngjarje ka qenë tepër i vonuar”, thuhet në njoftimin për medie të lëshuar nga AAK.
Sipas AAK-së, dy sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë ndaj Kosovës, brenda një kohe të shkurtër: fletarresti ndaj Haradinajt dhe “show me Trenin”, janë pjesë e të njejtit skenar që për qëllim ka destabilizimin e Kosovës dhe cënimin e lirisë së saj. /Insajderi.com