×
  • Lajme
  • Lajme

    AAK ende e pavendosur për ftesën e presidentes

    Insajderi
    06 February 2016 - 11:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk e ka refuzuar ftesën e Presidentes Atifete Jahjaga për të marrë pjesë në një takim me liderët e partive politike, edhe pse një gjë të tillë tashmë e kanë bërë dy partitë e tjera të bllokut opozitar.

    Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, i ka thënë të shtunën gazetës online Insajderi se partia e tij ende nuk ka marrë një qëndrim lidhur me ftesën e Jahjagës.

    “Ne ende nuk kemi marrë qëndrim për këtë çështje.  Sot do të japim njoftimin,” ka thënë ai.

    Deri më tani, tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën –  kanë kundërshtuar çdo iniciativë për t’u ulur për bisedime me përfaqësues të qeverisë, duke thënë se do të ulen në takime të tilla vetëm nëse në to bisedohet rreth datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Në muajt e fundit, të tri këto parti kanë dalur me qëndrime të përbashkëta lidhur me ide të tilla. Përveç presidentes, edhe Kryeministri Mustafa më herët kishte bërë ftesë për biseda me opozitën.

    Por i pyetur pse AAK ende nuk ka dhënë një përgjigje rreth kësaj ftesë, ashtu siç kanë bërë partitë e tjera opozitare, Ahmeti ka thënë se këto parti vazhdojnë të kenë qëndrime të përbashkëta.

    Por, Ahmeti ka insistuar se “ne më vonë do të japim qëndrimin tonë nëse e refuzojmë [ftesën e presidentes].”

    Në anën tjetër, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke thënë se takime të tilla nuk ndihmojnë në tejkalimin e krizës.

    “Nisma nuk do të marrë pjesë në të tilla tryeza, të cilat janë takime sa për t’u takuar. Nëse presidentja thërret takim me rend dite organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë padyshim do të shkojmë në një takim të tillë, i ka thënë ai televizionit Top Channel.

    Të enjten, tri partitë opozitare i janë drejtuar presidentes, Atifete Jahjaga me kërkesë që ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Jahjaga.

    Letra është nënshkruar nga tre liderët opozitar – Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës.

    Gazeta Insajderi kishte siguruar letrën e plotë që opozitarët i kanë dërguar presidentes Jahjaga.

    Në pikën e parë kërkohet të ndërpriten të gjitha proceset që lidhen me marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin, duke përfshirë edhe punën rreth statutit të Asociacionit! Në këtë pikë kërkohet po ashtu që të hiqet dorë nga përndjekja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, aktivistëve të opozitës, dhe qytetarëve për shkak të kundërshtimit të këtyre marrëveshjeve./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark