Partia e Ramush Haradinajt, Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur keqardhje siç thuhet në një komunikatë të dërguar për media për largimin nga partia të Donika Kadaj-Bujupit, por nuk ka komentuar arsyet e dorëheqjes së saj.
Vendimi i sotëm i Donika Kadaj-Bujupi, që të mos jetë më pjesë e AAK-së, është vendim që i përket vetëm asaj dhe arsyeve të saj, përderisa vet Kadaj-Bujupi kishte thënë për KTV-në se arsyeja e largimit nga kjo parti janë ato që i ka quajtur vendime të njëanshme në parti.
“Luhatja aktuale e sidomos marrja e vendimeve të njëanshme, të cilat vazhdimisht po e pengojnë krijimin e një alternative të fuqishme, e cila do të inicionte ndryshimin, është një prej arsyeve që ka zbehur dhe dobësuar ëndrrën për ndryshim në këtë vend, vend i cili nuk e meriton gjendjen në të cilën është, ëndërr për të cilën përherë kam sakrifikuar dhe kam qenë e gatshme të ballafaqohem edhe me burg edhe me çfarëdo sfide tjetër”, ka thënë Kadaj Bujupi në deklaratën e saj me shkrim.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan se shpreh keqardhje për këtë vendim të zonjës Kadaj-Bujupi, dhe asaj i shpreh mirënjohje për kontributin e deritashëm në AAK dhe në Kuvendin e Kosovës, si deputete e AAK-së, duke i dëshiruar suksese në rrugëtimin dhe në zgjedhjen e saj.
“AAK, vazhdon të jetë parti e parimeve demokratike dhe e vendimeve të forumeve të veta. Po ashtu AAK është e ndërgjegjshme për situatën tejet sensitive në vend, dhe si rrjedhojë shumë e kujdesshme në veprimet që merr, deri në arritjen e objektivit kryesor, që është ndryshimi që duhet të ndodhë”, thuhet më tej në këtë komunikatë.