×
  • Lajme
  • Insajderi

    Abdixhiku e konfirmon aderimin e Doarsa Kicës në LDK

    Insajderi
    08 September 2022 - 12:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka konfirmuar se deputetja e Listës “Guxo” ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    “Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë”, shkruan Abdixhiku.

    I pari i LDK-së tha se ish-deputetja e Listës “Guxo”. ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, “anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”.

    Njoftimi i plotë i Abdixhikut

    Mirësevjen Doarsë!

    Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë.

    Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara.

    Doarsa Kica Xhelili ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si bursiste e Loyola University në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim, në qendrën e këtij universiteti në Romë. Doarsa, përveçse aktiviste e shoqërisë civile, ishte dhe avokate e shquar brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja e saj në këtë drejtim, e bën atë një aset të çmuar të shoqërisë sonë.

    Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit. Puna e saj aktive dhe profesionale në komisione dhe në publik, ka shtyrë përpara nisma që kanë marrë mbështetje të gjerë qytetare në vazhdimësi.

    Doarsa jeton në Prishtinë; është e martuar dhe nënë e një vajze.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark