Abdixhiku godet VV pasi asamblisti i saj u kap me drogë: Insistuan ta vendosin në Stacion, të hetohet rrjeti dhe mbështetja politike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Abdixhiku godet VV pasi asamblisti i saj u kap me drogë: Insistuan ta vendosin në Stacion, të hetohet rrjeti dhe mbështetja politike

    Insajderi
    15 August 2023 - 13:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas raportimeve se asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci, u arrestua bashkë me disa persona tjerë, pasi kapën me ekstazi në Tiranë.

    Abdixhiku ka “rikujtuar” insistimin e opozitës në kryeqytet që ta vendosin Mujecin si aksionar në Stacionin e Autobusëve të Kryeqytetit.

    “Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet “në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”.

    “Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit.

    Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë.

    Synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusësve të Kryeqytetit.

    Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë.

    Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë.

    Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.

    Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark