Vetëm pak çaste pas rikonfirmimit në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë me dije se partia e tij është gati t’i rikthehet menjëherë tryezës së bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Procesi i bisedimeve ishte pezulluar përkohësisht për shkak të zhvillimeve dramatike brenda LDK-së dhe mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
Mirëpo, pas mbijetimit të votëbesimit, Abdixhiku njoftoi se kjo bllokadë kohore ka përfunduar.
“Nga ky moment e heqim pezullimin dhe LDK-ja është e hapur për diskutim për çështjen e formimit të institucioneve”, deklaroi Abdixhiku në konferencën për media pas përmbylljes së Kuvendit.
Kreu i LDK-së konfirmoi po ashtu se në takimin e parë që ka zhvilluar me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, është diskutuar koncepti i “balancës së pushteteve”, duke bërë të qartë se LDK nuk do të pranojë që një parti e vetme të marrë të gjitha timonët e shtetit.
Pavarësisht diskutimeve për këtë parim, Abdixhiku mohoi se deri më tani ka ndonjë dakordim konkret apo marrëveshje finale mes dy palëve, duke lënë gjithçka të hapura për raundet e ardhshme të negociatave./Insajderi