Abdixhiku, Hovenierit: Pa njohje të ndërsjellë nuk garantohet normalizimi i marrëdhënieve – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Abdixhiku, Hovenierit: Pa njohje të ndërsjellë nuk garantohet normalizimi i marrëdhënieve

    Insajderi
    14 March 2023 - 18:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u takua me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me ç’rast ky i fundit ia përçoi qëndrimet e LDK-së në lidhje me Plan-Propozimin e BE’së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Asnjë marrëveshje tjetër e cila nuk e ka njohjen e ndërsjellë, tha Abdixhiku, nuk garanton normalizim të marrëdhënieve, shkruan Insajderi.

    Mes tjerash, Abdixhiku njoftoi se ambasadorit Hovenier ia ka shpjeguar dhe elaboruar pikëpamjet rreth Preambulës, Nenit 7 dhe Nenit 10 të tekstit të marrëveshjes bazë, pika këto të cilat Abdixhiku i ka shpalosur vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës si problematike.

    Njoftimi i Abdixhikut:

    Kënaqësi e veçantë që me bashkëpunëtorët e mi, të pres në zyrat e LDK-së ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

    Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.

    Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.

    LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark