×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Beteja anglisht-anglisht mes Kurtit dhe Abdixhikut kapërcen edhe në gjermanisht për një term shqip

    Insajderi
    02 March 2023 - 17:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Plan-Propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të cilin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pranoi në Bruksel të hënën, me të hyrë në Preambulë, shkruan në anglisht se “Palët Kontraktuese […] zotohen […] për të kapërcyer/tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës” si dhe “Vazhdojnë […] pa paragjykime ndaj vështrimeve të ndryshme të Palëve në çështje fondamentale, përfshirë mbi çështjet e Statuseve”.

    Insajderi

    Për shumë kënd kjo u pa me skepticizëm të madh. Çfarë “kapërcimi” mund të jetë dakordësuar. Kapërcim pa ballafqim? Amnistim? Falje e krimeve? Dhe tjetra, apo e pranon Kosova vetë mosnjohjen e saj duke mos ia paragjykuar “statusin” vetes. Këto ishin vetëm disa prej pyetje të ngritura në publik.

    Ishte pikërisht kjo pjesë e Preambulës e cila u bë brum për debat mes Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Anglishtja dhe gjermanishtja e të dyve u rrokën mes tyre për të shpjeguar se çfarë thuhet aty.

    “Preambula e mbajtur fshehtë”, tha fillimisht Abdixhiku, teksa rikujtoi se në seancën e fundit ku Albin Kurti raportoi në Kuvendin e Kosovës rreth plan-propozimit evropian ai në asnjë moment nuk ka folur se “kapërcimi i trashëgimisë të së kaluarës” do të ishte pjesë e këtij plani në këtë mënyrë.

    “Ka folur gjithnjë për ballafaqimin e Serbisë mbi të kaluarën, por në një dokumen tashmë të mbështetur nga 27 vende evropiane ai pajtohet të kalojë trashëgiminë e së kaluarës, trashëgiminë e përgjakshme e shtypëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës”.]

    Abdixhiku pati shumëçka për të thënë edhe rreth pjesës së “vështrimeve të ndryshe të Palëve në çështje fondamentale, përfshirë mbi çështjet e Statuseve” në Premabulë.

    “Dhe jo vetëm kaq. Kosova pajtohet edhe ma paparagjykimin rreth statusit të vet politik. Pa paragjykimin e palëve mbi statusin është pjesë e premabulës. Po e përsërisë: pa paragjykimin e palëve mbi çështjen e Statusit. Mendojeni pak këtë. Pra, me një formulim të vetëm, ky Kryeministër barazon mosnjohjen e Serbisë me vetë aktin e shpalljes së Pavarësinë e Kosovës”.

    “Ky formulim në Preambulë ndaj statusit është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në historinë e Kosovës. Është dëm historik. Madje edhe ajo e fusnotës e kishte për referencë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. A e kuptoni kryeministër dëmin që i keni bërë vendit me këtë paparagjykim si vlerë në Preambulë”, shtoi Abdixhiku.

    Anglishtja e Kurtit si përgjigje

    Kurti tha se “overcome the past” nuk është “forget the past” e as “disregard the past” në kuptimin që nuk po harrohet e as shpërfillet e kaluara. Përkundrazi, sipas tij, po kërkohet “ballafaqim me të kaluarën”.

    “Më lejoni të theksoj se ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë”, tha fillimisht ai.

    “Një ndër insistimet kryesore të mia ka qenë se një Marrëveshje Bazike pa elementin e drejtësisë tranzicionale nuk mund dhe as nuk guxon të bëhet. Nocioni i ‘overcome the past’ përbën përkundrazi një detyrim për palët ta adresojnë të kaluarën e jo ta harrojnë atë. Përndryshe do të titullohej ‘forget the past’ ose ‘disregard the past‘”.

    Madje tha ai përkufizimi si “overcome [the legacy] of the past” është marrë nga koncepti gjermanisht “𝐕𝐞𝐫𝐠𝐚𝐧𝐠𝐞𝐧𝐡𝐞𝐢𝐭𝐬𝐛𝐞𝐰𝐥𝐭𝐢𝐠𝐮𝐧𝐠”.

    “Nocioni i ‘overcome the past’ është konceptualisht dhe literalisht në origjinal i quajtur gjermanisht “𝐕𝐞𝐫𝐠𝐚𝐧𝐠𝐞𝐧𝐡𝐞𝐢𝐭𝐬𝐛𝐞𝐰𝐥𝐭𝐢𝐠𝐮𝐧𝐠”. I cili përbën metodën gjermane të të adresuarit të drejtësisë tranzicionale pas Luftës së Dytë Botërore. Ky është koncepti. Ai bazohet në një koncept të drejtësisë tranzicionale që ka për qëllim ta thotë të vërtetën për të kaluarën, ta luftojë revizionizmin e së vërtetës, dhe t’i ndjekë dhe t’i dënojë ata që kishin përgjegjësi për të kaluarën”.

    “Pra marrëveshja bazike jo që nuk amniston e nuk fal asgjë, por përkundrazi ka për qëllim të adresojë të kaluarën përmes mjeteve të civilizuara që kanë për qëllim luftën ndaj kriminelëve që kanë kryer krime lufte, theksimin e së vërtetës, mbrojtjen e narracionit të viktimave dhe edukimin e brezave të rinj mbi bazën e drejtësisë për të kaluarën. Kjo lëre që nuk është harresë apo tejkalim e së kaluarës, por theksim i saj dhe ndërtim i së ardhmes duke adresuar të kaluarën përmes përgjegjësisë shtetërore, juridike, morale dhe kulturore. Dhe, le ta theksojmë se tesktet që i kemi tash për tash janë vetëm në anglisht dhe atyre do t’u përmbahen. Njëherë dakordohemi vetëm për tekstet në anglisht”, tha mes tjerash ai.

    Kurti pati kundërshti ndaj Abdixhikut dhe një interpretim subjektiv ndaj “çështjes së statuteve” siç janë të shkruara në Preambulë.

    “Tjetra është keqleximi sa i përket çështjes së statusit. E dëgjova deputetin Abdixhiku. Tha që është hapur çështjja e Statusit ose që është Neutrale. Së pari, më lejoni t’ua tregoj kontekstin dhe çfarë saktësisht po shkruhet se duhet të lexoni në përpikëri. Para 4 viteve ish-Presidenti Trump i ka dërguar letër Ish-Presidentit Thaçi ku e ka përdorur togfjalëshin njohje reciproke. Para dy vjetëve këtë e ka bërë President aktual Biden, njohje-reciproke. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohje e Kosovës nga Serbia, por njohje reciproke. Sepse në thelb nuk mund ta njohësh  një shtet që nuk të njeh, pa u nënshtruar në riokupim”.

    “Rrjedhimisht, të dy presidentët neve na kanë treguar që aktualisht e kemi gjendjen e një mosnjohje reciproke dhe nga mosnjohjaa të kalojmë në njohje reciproke. Sepse përndryshe ata do të shkruanin duke thënë Serbia ta njohë Kosovën dhe kaq. Dhe këtu, nëse e vreni në fjalinë e katërt në Preambulë thuhet ‘incudling on status questions’, që është ‘çështjet’ jo ‘çështja’ siç tha deputeti Abdixhiku. Pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me Presidentin Vuçiq te zyra e Borrellit unë kam thënë: Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë. Qysh në fillim”.

    “Prandaj e keni ‘status questions’ në ‘plural’, në shumës o deputeti Abdixhiku. Mos thuaj ‘çështja’ por ‘çështjet’, ‘pyetjet’, është shumës”, tha ai.

    Kundlërpërgjigja “përgënjeshtruese” e Abdixhikut

    Realiteti dhe kjo çka insiston kryeministri janë dy botëra të ndryshme, e nisi replikën e tij me të marrë fjalën Abdixhiku.

    “Ja këtu thotë unë insistojë në të ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën, por në tekst është dakorduar për të tejkaluarën trashëgiminë e së kaluarë me Serbinë. Tjetër çka flet këtu në foltore, por në tekst flet për tejkalimin të së trashëgimisë të së kaluarës me Serbinë. Dhe ky nuk e përmendi fjalën ‘Trashëgimi’, pot tha ‘tejkalimi i të kaluarës’ e jo edhe trashëgiminë. Tri herë e përmendi ‘tejkalimin e së kaluarës’. Por, jo fjalën Trashëgimi, ‘Legacy’ në anglisht në marrëveshjen që e ka pranuar. Gjermanisht fjalën [𝐕𝐞𝐫𝐠𝐚𝐧𝐠𝐞𝐧𝐡𝐞𝐢𝐭𝐬𝐛𝐞𝐰𝐥𝐭𝐢𝐠𝐮𝐧𝐠] që e përmendi nuk e ka në marrëveshje”, tha Abdixhiku.

    “Dhe, për më tepër në marrëveshjen gjermano-gjermano, nuk e ke askund ‘tejkalimin e së trashëgimisë të së kaluarës’. Në marrëveshjen gjermano-gjermano që t’i është dashur me marrë për bazë, thotë palët ‘do të vendosin’ – Settle, settle humanitarian questions – çështjet, pyetjet humanitare. Është ‘settle’ jo ‘overcome’, jo m’i ‘tejkalu’. Tejkalimi i trashëgimisë dhe marrja me të kaluarën janë dy gjëra krejtësisht të kundërta. Çka t’i flet në foltore dhe çka ke në marrëveshje janë dy gjëra të kundërta.  E pse e bën këtë punë, këtë nuk e kuptoj”.

    “Për njohjen reciproke. A nuk paskan ditur ata të kërkojnë marrëveshje reciproke pa paragjykim të statusit? Ata kanë kërkuar njohje reciproke në qendër, e ti ke përfunduar në paparagjykim të statusit. Si kryeministri i parë në historinë e Kosovës, e ke pranu paparagjykimin e statusit tënd dhe të Serbisë, por edhe tëndin. Pra, dy presidentët amerikanë kanë mundur të ta kërkojnë paparagjykimin, por ta kanë kërkuar njohjen”, përfundoi mes tjerash Lumir Abdixhiku./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark