×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Aborti selektiv në Kosovë dhe Shqipëri

    Insajderi
    19 November 2020 - 11:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zana Avdiu

    Preferenca më e madhe për djemtë dhe domodoshmëria për të pasur trashëgimtar të seksit mashkull në Kosovë është një realitet faktik. Kjo ka shkaktuar insistim për lindjet e vazhdueshme, edhe me mbi 10 fëmijë tek një çift, ka shkaktuar martesat e shumëfishta, ndërhyrje të ndryshme edhe me mjek popullor dhe shumë metoda tjera, deri tek arritja e qëllimit, lindjen e fëmijës mashkull.

    Kombinimi fatal i parapëlqimit tradicional për fëmijë meshkuj dhe i teknologjive moderne të cilat e bëjnë të mundur të shihet seksi i foshnjës para se të lindë, ka çuar deri te ndërhyrjet dhe mundësitë e përzgjedhjes së gjinisë gjatë riprodhimit invitro, e gjithashtu, ndonëse jo të regjistruara, edhe përmes aborteve selektive. Këto aborte kryhen edhe përkundër faktit se aborti është i lejuar vetëm deri në javën e dhjetë të shtatzënisë, ndërsa gjinia e fëmijës mund të dihet vetëm nga java 12 e tutje.

    Sipas natyrës normale njerëzore, raporti i lindjeve mund të variojë nga 104 lindje meshkuj me 100 lindje femra, ndërkohë që në Kosovë sot kemi raport të lindjeve 110-112 meshkuj dhe 100 femra, sipas statistikave të lindjeve, ndër vite:

    Koeficienti i maskulinitetit 110.3. (2016)
    Koeficienti i maskulinitetit 111.2. (2017)
    Koeficienti i maskulinitetit 109. (2018)
    Koeficienti i maskulinitetit 110.6. (2019)

    Duke marrë parasysh koeficientin e maskulinitetit ndër vite në Kosovë, aborti selektiv mbi bazë gjinore tashmë mund të konsiderohet si dukuri shoqërore edhe në vendin tonë. Edhe në Shqipëri, rreth 20 viteve të fundit, në çdo 100 lindje kanë lindur 10-12 meshkuj më shumë sesa femra. Sipas një raporti të Këshillit të Evropës, në Shqipëri lindin 112 meshkuj për çdo 100 femra, një shifër mjaft joproporcionale në krahasim me raportin e rritjes natyrore demografike.

    Shqipëria ka një situatë të ngjashme me disa vende të tjera kaukaziane, ndërsa Kosova është ndër vendet më problematike në Ballkan. Gjithashtu, një studim i përbashkët i UNFPA-së dhe World Vision e rendit Shqipërinë dhe Kosovën si vendet e para në Ballkan, ndjekur nga Maqedonia veriperëndimore dhe Mali i Zi, për abortin selektiv të foshnjave kur ato janë femra dhe sidomos kur ato janë të dytat apo të tretat në familje.

    Ndërsa sa i përket abortit selektiv në vendet tjera, sipas të dhënave të fundit nga OBSh-ja dhe UNFPA-ja, çdo vit rreth 117 milionë femra besohet të “humbasin” në Azi dhe Evropën Lindore (ku përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova) si rezultat i preferencës të të pasurit djalë, duke kryer abortet selektive gjinore. Pra, sipas këtyre të dhënave, 117 milionë fëmijë të gjinisë femrore nuk vijnë në jetë për arsye të abortit selektiv.

    Por, cilat janë arsyet që çojnë deri tek aborti selektiv?

    Aborti selektiv është simptomë e shoqërive patriarkale, misogjene, shoqërive ku gruaja konsiderohet si seksi i nënshtruar. Dhe, duke qenë se vlerë e këtyre shoqërive është dominimi e nënshtrimi i të tjerëve, kjo çon në dëshirën për të pasur sa më shumë djem (seksin dominues/nënshtrues) dhe jo vajza (seksin e dytë/të nënshtruar). Madje, në këto shoqëri, fëmija vajzë nuk konsiderohet as pjesë e familjes dhe si e tillë, ajo nuk e vazhon linjën e gjakut (familjes) dhe nuk mund të trashëgojë. Gruaja ka pozitën e objektit riprodhues që sipas tyre as fëmijët që ajo i lindë nuk janë të saj. Pra, gruaja konsiderohet vetëm objekt në shërbimin e burrit.

    Duke qenë se ndikim të madh në shoqërinë tonë ka edhe feja, prijësit fetarë kanë kontribuar në rritjen e këtij fenomeni, duke interpretuar mësimet fetare çdo herë në dobi të burrit dhe duke e lartësuar figurën e tij. Edhe fetë gruan e konsiderojnë si të dorës së dytë, si seksi i nënshtruar. Fundja, kur edhe Zoti i preferon dhe i ka përzgjedhur burrat, kush jemi ne të mos i preferojmë ata? – e bën të mendojë kështu një prind të ardhshëm, i cili pastaj lehtë do të kryej një abort të fëmijës vetëm pse është vajzë.

    E kush do të dëshironte të lindë fëmijë vajzë (objekt për shërbimin e tjetrit)?

    Ky mosdëshirim i fëmijëve vajza, dhe norma e ulët e lindshmërisë e cila ka zvogëluar shumë mundësinë për të pasur djalë në familjet e vogla, ka sjellë një ulje të madhe të lindjeve të vajzave në vendin tonë nëpërmjet përzgjedhjes së seksit para lindjes apo abortit selektiv. Dhe, ky disproporcion gjinor do të vërehet edhe më shumë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

    Cilat janë pasojat e abortit selektiv?

    Çekuilibri gjinor në lindje çon në tepricë të gjinisë mashkullore e cila do të ndikojë edhe në mundësinë për martesë dhe riprodhim, por mbi të gjitha do të çojë në rritjen e dhunës, përdhunimeve e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual. Do ndikojë po ashtu në rritjen e frustrimit seksual të kësaj shoqërie, tashmë veç të frustruar edhe në këtë gjendje të cilën është.

    Dhe çka duhet bërë që të parandalohet kjo dukuri?

    Në vendin tonë nuk ka të dhëna të sakta për abortin selektiv. Madje, nuk është as temë e diskutimit, as nga institucionet dhe as nga shoqëria. Institucionet e shëndetësisë nuk kanë as idenë më të vogel se kur dhe si kryhen këto aborte. Madje, edhe ata që vetë kryejnë lindjet dhe merren direkt me këto çështje nuk kanë ndonjë informatë për abortet selektive.

    Për parandalimin e abortit selektiv duhet të bëhet i detyrueshëm raportimi nga personeli mjekësor për të gjitha rastet kur kërkohet të kryhet një abort selektiv dhe gjithashtu të bëhet i detyrueshëm raportimi i gjinisë së fetusit për të gjitha ndërprerjet e shtatzënisë nga mjekët që kryejnë abortin. Në parandalimin e abortit selektiv do të ndikonte monitorimi i të gjitha institucioneve publike dhe private, të cilat ofrojnë shërbime gjineokologjike, e ndër to edhe ndërprerjen e shtatzënisë, i cili do të mund të realizohej nëpërmjet një sistemi të unifikuar, në të cilin do të regjistrohej çdo abort që do të bëhej brenda vendit tonë, në të cilin do të duhej të jepen përshkrime të detajuara rreth abortit e në veçanti për gjininë e fetusit.

    Por, më e rëndësishmja është informimi, edukimi dhe sensibilizimi i shoqërisë sa i përket pozitës së gruas në shoqëri dhe ndikimit e pasojave të abortit selektiv.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark