Pas njoftimit te sotëm për hapjen e një fabrike nga investitorë gjerman në Podujevë ku do të punësohen rreth 500 persona, Ministri i Punës, Arban Abrashi, ka paralajmëruar edhe një investim tjetër gjerman në Kosovë.
Përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, Abrashi ka thënë se do të ketë “javë të investimeve gjermane dhe më gjerë” dhe ka treguar agjendën e kësaj jave, ku ndër tjerash spikatë përurimi i një investimi gjermano-kosovar.
“Nesër konferenca “Investimet dhe Punësimet nga Diaspora”, të martën panairi i punës, me prezencë të Agjensionit të Punësimit të Gjermanisë, të enjten përurimi i një investimi Gjermano – Kosovar, dhe gjatë vitit, pas plotësimit të procedurave, qindra vende pune në një fabrikë të procesimit të perimeve”, ka thënë ai.
Sipas ministrit Abrashi, “Kosova po shndërrohet në vend atraktiv për investime gjermane dhe më gjerë”.
Ministri Arban Abrashi së bashku me ambasadoren e Gjermaisë në Kosovë, Angelika Viets, kanë mbajtur të dielën një konferencë për media ku kanë shpalosur planin e një investimi gjerman në Kosovë, ku pritet të punësohen rreth 500 persona. Bëhet fjale për një fabrikë të përpunimit ushqimor, përkatësisht të perimeve./Insajderi.com