Vështirë se mund t’ju rastis diku Kosovë të dëgjoni më shumë njerëz të flasin në gjuhën spanjolle, se sa në një zyre në qosh të lagjes Lakrishte të Prishtinës. Kur hyn brenda, të duket vetja se je pjesë e ndonjë episodi të serialeve të shumta spanjolle që janë transmetuar gjatë këtyre viteve në televizionet kosovare.
Madje obligohesh të mbash pak qetësi, sikurse brenda familjeve të cilat shikojnë kolektivisht këto telenovela.
Në atë zyrë ku në çdo cep ka një kompjuter e mikrofon, Leonita Mukulani dhe Muharrem Shabani së bashku me dhjetëra të rinjtë të tjerë, kalojnë një pjesë të ditës duke komunikuar në këtë gjuhë. Ata punojnë në një nga qendrat telefonike të njohura si Call Center, ku bëjnë shitje ‘online’ në emër të kompanisë së kontraktuar që zakonisht ndodhet jashtë vendit.
Derisa në Kosovë e rajon qendra të tilla janë në trend, e veçanta e këtyre të rinjve është se e kanë mësuar gjuhën përmes ndjekjes së serialeve spanjolle.
“Unë kam filluar të përcjell këto seriale kur i kam pasur nëntë apo 10 vjet. Pas disa viteve, së bashku me një shoqen time, e cila po ashtu i ka pëlqyer këto seriale, kemi filluar të flasim spanjollisht mes vete për gjëra bazike,” tregon Leondita, e cila nuk mundet të jap ndonjë numër lidhur me atë se sa seriale të tilla i ka parë deri sa ka arritur të përvetësoje gjuhën.
“I kam parë të gjitha që janë shfaqur në televizionet tona,” thotë ajo, duke shtuar se nuk është mjaftuar vetëm me këtë.
“Kam shikuar filma e lexuar literaturë, jam interesuar edhe për gramatikën e gjuhës”.
Kolegu i saj, Muharremi, thotë se ka lënë anash shumë gjëra të tjera që gjuhën ”ta mësoja siç duhet”.
Muharremi, që është student i vitit të tretë i gazetarisë, nuk ankohet as për pagën e tij. “Paga është e mirë, definitivisht”, thotë ai.
Në përgjithësi, paga në këto qendra telefonike sillet rreth 500 euro, që është dukshëm më e madhe se paga mesatare në vend. Paga mund të jetë edhe më e lartë në rast se një punonjës arrin që të ketë më shumë sukses në shitjen e produkteve – shpërblim në formë bonusi.
Edhe mundësitë për të gjetur një vend të tillë pune nuk janë të vogla, meqë jo rrallë në platformat e ofertave të punës publikohen mundësi pune, me kushtin e vetëm të njohjes së një gjuhe të huaj.
Qendrat telefonike bëjnë ndërmjetësimin në shitjen e produkteve për kompani të ndryshme që zakonisht ndodhen jashtë vendit. Këto qendra janë shpeshtuar viteve të fundit, ndërsa menaxherët e tyre thonë se leverdia e investuesve të huaj është fuqia më e lirë punëtorë krahasuar me vendet e tjera perëndimore.
Në qendrën që ne e vizituam, bëhet këshillim dhe shitje e produkteve të kozmetikës dhe të mjekësisë bujqësore. Esat Abazi, pronar i kësaj qendre, thotë se ai ka të punësuar rreth 80 persona, dhe përveç Prishtinës, ai ka zyre edhe në Viti e Gjilan.
Gjysma prej punëtorëve të tij janë të angazhuar për të komunikuar në gjuhën spanjolle, tregon ai.
Ai thotë se klientët e tij janë “të brendshëm”, që nënkupton që ka të bëjë me njerëz të cilët më parë kanë blerë produktet e kompanisë në fjalë, duke mohuar se ata bëjnë reklamim apo oferta tek persona pa ndonjë autorizim.
Insajderi ka dërguar pyetje tek Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), por deri më tani nuk ka marrë përgjigje lidhur me atë se sa qendra të tilla operojnë në vend. Përgjigje nuk ka marrë as nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me taksat që këto kompani paguajnë në baza vjetore.
Por, në të dhëna të bëra publike për mediume të tjera në vitin 2015, ARBK ka thënë se janë gjithsej 52 “call centers” të regjistruara në Kosovë, prej të cilave 36 janë në Prishtinë.
Vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës kishte arritur t’i krijojë hapësirë një qendre të tillë, e cila raportohej se punësoi rreth 200 punëtorë. Edhe pronari i kompanisë por edhe kryetari i Prishtinës, Ahmeti, kishin thënë se numri i punëtorëve do të rritej në ndërkohë.
Derisa papunësia në vend vazhdon të jetë në nivele të larta, sidomos tek të rinjtë, punësimi në këto qendra thirrjeje duket të jetë si një mundësi e mirë.
Në këtë kontekst, vetë Remi tregon se planifikon të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Kam tre muaj që punoj këtu, dhe mendoj të vazhdoj aq sa projekti të ketë jetëgjatësi,” thotë ai.
Në anën tjetër, Leonida, që është studente e Fakultetit të Gjuhës Frënge në Prishtinë, thotë se i ka pasion gjuhët e huaja, ndërsa call centers janë mundësi e përkryer për të që të praktikojë ato./Insajderi.com