×
  • Lajme
  • Lajme

    Adriatik Kelmendit i dëmtohet vetura

    Insajderi
    11 February 2016 - 13:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autori i emisionit Rubikon që transmetohet në KTV, Adriatik Kelmendi ka bërë të ditur se dikush ia ka prerë me thikë gomat e veturës në parkingun e banesës.

    Kelmendi ka thënë se rastin e ka lajmëruar në polici për të shtuar se nuk i di arsyet dhe nuk ka asnjë konflikt me askënd.

    Kelmendi ka shkruar në Facebook:

    “Në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm, bashkë më bashkëshorten dhe dy fëmijët, kam hyrë në veturën personale dhe kam vërejtur që vetura nuk po lëvizë. Kam dalë për të shikuar se çka po e pengon nisjen e veturës dhe kam parë se i kam të shfryra të katër gomat.

    Kam lajmëruar policinë dhe ata në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se gomat janë të shpuara me thikë.

    Veturën e kisha parkuar mbrëmë rreth orës 23:30, në vendparkimin personal në garazhin kolektiv për banorët, në bodrumin e kompleksit banesor ku jetoj. Në garazh mund të hyjnë vetëm personat që kanë kartela të hyrjeve për dyert e hyrjes ose derën e garazhit.

    Policia ka hapur rast dhe ka marrë edhe incizimet nga kamerat në vendngjarje.

    Tash për tash nuk e di se kush do të ketë mundur ta kryej këtë akt.

    Nuk kam as më të voglin konflikt personal me asnjë person.

    Këtë akt e shoh si përpjekje për të më frikësuar. Nuk kam ndonjë dyshim të caktuar specifik, por besoj se kjo përpjekje për frikësim ka të bëjë me punën time publike, kritikat që dalin nga kjo punë, nga emisionet e mia, shkrimet dhe deklarimet e tjera publike, ndaj të cilave shpesh ka edhe reagime të bujshme nga individë të grupeve të interesimit. Këto ia kam dhënë si deklaratë edhe policisë.

    Konsideroj se depërtimi i individit që e ka kryer aktin në hapësirën time private, në këtë rast ne vendparkimin e mbyllur, është menduar si mesazh i drejtpërdrejt kërcënimi, si një hap para hyrjes së banesën familjare.

    Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj të gjithë ata persona që në mënyra të ndryshme po më kontaktojnë për të më shprehur përkrahjen dhe bashkëndjenjën në këto raste.

    Dua t’i siguroj të gjithë miqtë, dashamirët dhe përcjellësit e punës sime se – megjithëse nuk është hera e parë që kërcënohem – edhe ky, si kërcënimi më serioz deri më tash, nuk do të më zbraps, nuk do të më tremb, nuk do të më frikësojë të vazhdoj ta bëj punën time ashtu siç e kam bërë deri më sot”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark