×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Afat deri në shtator- Çka thuhet në kërkesën e ministrisë së Faton Pecit për lirimin e zyrës së AAK’së?

    Insajderi
    18 March 2024 - 15:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që ta lirojë objektin që shfrytëzohet për nevoja partiake nga kjo e fundit. MBPRZh’ja si qiradhënëse, në krye me ministrin Faton Peci, ka thënë se objekti nevojitet të shfrytëzohet për nevojat e saja publike. Insajderi ju sjell detaje nga kërkesa e ministrisë së Pecit ndaj AAK’së.

    AAK’së iu është dhënë një afat prej 180 ditësh për lirimin e këtij objekti. Saktësisht, data e fundit për lirimin e këtij objekti është përcaktuar 20 shtatori i këtij viti, në përputhshmëri me një nen të kontratës së arritur mes Aleancës dhe Ministrisë më 20 nëntor të 2023’ës. Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dokumentin përmes burimeve brenda ministrisë.

    “Kërkesa për shkëputjen e kontratës bazë bëhet në përputhje me nenin 7 të Kontratës bazë, citohet: “Pala e cila dëshiron shkëputjen e kontratës është e obliguar që në afat prej 180 ditësh, paraprakisht ta paraqes kërkesën në formë të shkruar për shkëputjen e kësaj kontrate””, thuhet ndër të tjera në kërkesën e parashtruar nga Venera Çerkini, u.d. e Sekretares së Përgjithshme në këtë ministri ndaj Lulzim Lecit, Sekretarit Ekzekutiv të AAK’së.

    “Andaj qiradhënësi përkatësisht Ministria përgjegjëse për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural kërkon nga Qiramarrësi: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që objektin ta liroi në afat prej 180 ditësh nga data e njoftimit të kësaj shkrese përkatësisht nga 19 Marsi deri më datën 20 Shtator 2024”, thuhet më tej.

    Aty bëhet me dije se arsyeja e shkëputjes së kontratës bëhet për nevojat e Ministrisë, gjegjësisht “për nevoja të saja publike në përputhje me fushëveprimtarinë e saj që e ushtron sipas legjislacionit në fuqi”.

    Ministria e Bujqësisë ka kërkuar më tej që objekti prej 569 metrash katrorë të kthehet i padëmtuar.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, ministri Peci ka folur për deklaratat e zyrtarëve të AAK-së pas kërkesës së parashtruar, teksa i quajti kërcënim të hapur.

    Ai gjithashtu ka bërë të ditur se kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është shkëputur përfundimisht. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim.

    “Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korrekt dhe gjeneroz, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marr vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

    Deklaratën e ish-zëdhënësit të AAK-së, Lulzim Blaka “Mirë se vjen o trim Të presim siç është zakoni”, Peci e pa si kërcënim të hapur. Tha se komunikim i tillë bëhet vetëm në Dukagjin.

    “E para unë kam thënë që shihemi të hënën për shkak se kishte kaluar afati kohor dhe thjeshtë ka qenë edhe vendimi i imi dhe sugjerim i imi për pjesën e ekzekutivit për të shkëputur këtë kontratë. Ai është një komunikimi i një tradite në Dukagjin, mendoj që është kërcenim i hapur. Por sido që të jetë për të gjithë ata që përçojnë mesazhe të tilla dhe që mendoj që kuptimin e kanë forcën ose guximin të ballafaqimit vandal, unë kam guximin intelektual edhe guximin me ndjek interesin publik të qytetarëve dhe të institucioneve”, u shpreh ai.

    E aksionet për lirimin e objekteve që janë nën menaxhim të këtij dikasteri, thotë se kanë vetëm një qëllim. Sistemimin e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë për shkak të mungesës së hapësirave në objektin aktual.

    AAK në anën tjetër ka reaguar pasi i është ndërprerë kontrata për shfrytëzimin e zyrave në Prishtinë.

    Aleanca ka thënë se sot kanë pranuar një kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për shkëputje të njanshme të kontratës, derisa ka shtuar se kontrata është nënshkruar sipas kushteve të parashtruara nga vetë ministria.

    “Sot e kemi pranuar një kërkesë nga Ministria e Bujqësisë për shkëputjen e njëanshme të kontratës së qirasë e cila është nënshkruar më datë 20.11.2023, sipas kushteve të parashtruara nga vetë Ministria. Jemi në shqyrtim të aspektit juridik të kësaj kërkese dhe shumë shpejt do të ju njoftojmë për veprimet e radhës. Për korrektësi, bashkëngjitur gjeni kontratën e lidhur mes AAK-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, e përpiluar nga vetë ministria, për shfrytëzim të objektit”, thuhet në njoftimin e AAK’së. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark