
Skandali i tokave në Veternik, i njohur si pjesë e projektit “Prishtina e Re”, po përfshin çdo ditë emra të rinj nga politika, biznesi dhe institucionet publike. Në listën e pronarëve me pasuri të bllokuara ka dalë edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës – Nevruz Hasani, shef i Departamentit për Operacione. Në qendër të një hetimi ndaj Afrim Gashit, një tregtar toke, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur bllokimin e një prone me miliona euro. Siç raporton Gazeta Insajderi, në vendimin e gjykatës përmenden emra të njohur në afera pronash, përfshirë biznesmenë dhe zyrtarë publikë.
Gazeta Insajderi
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Insajderi”, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një Urdhër Ndalues Përfundimtar për parcelën kadastrale 1743-6 në Veternik, me sipërfaqe 600 m².
Kjo pronë, e cila është regjistruar në emër të Nevruz Hasanit, , shef i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, është ndarë në tre pjesë (1743-32, 1743-33 dhe 1743-34) dhe është futur në skemën e dyshimtë që lidhet me projektin urbanistik. Vendimi gjyqësor ndalon shitjen, dhënien me qira, bartjen ose regjistrimin e kësaj prone, derisa të merret një vendim përfundimtar mbi konfiskimin e saj.
Dyshime mbi deklarimin e pasurisë
Nevruz Hasani mban pozitën e shefit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës që nga shtatori i vitit 2017.
Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ai ka raportuar një shtëpi, disa toka, dy banesa dhe një garazh, me vlerë qindra mijëra euro. Të ardhurat e tij vjetore nga paga arrijnë rreth 15,500 euro neto.
Megjithatë, deklarimi i tij nuk përmend saktësisht parcelën e bllokuar në Veternik, duke ngritur dyshime mbi transparencën e raportimit të pasurisë nga një zyrtar i lartë policor.
Lidhjet me rrjetin e Afrim Gashit
Hetimet e Prokurorisë e lidhin rastin e Hasanit me një rrjet më të gjerë të përbërë nga ndërmjetës, avokatë e noterë, të cilët përmes dokumenteve të dyshimta kanë regjistruar dhe shitur prona në Veternik. Afrim Gashi, një nga emrat kryesorë të këtij rrjeti, u arrestua më 25 gusht 2023 nën dyshimet për mashtrim, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve të pavërteta.
Sipas të dhënave të siguruara, Gashi dyshohet se ka qenë ndërmjetës në një skemë që përfshiu dhjetëra parcela, duke shitur të paktën 22 prej tyre dhe duke gjeneruar fitime prej mbi 5 milionë eurosh. Në këtë rrjet është përmendur edhe emri i Ylber Hysenit.
Provat e mbledhura nga autoritetet përfshijnë transferta bankare milionëshe dhe përdorim të certifikatave të falsifikuara të pronësisë. Këto praktika, sipas prokurorisë, janë përdorur për të mbuluar prejardhjen e dyshimtë të pronave.
Përveç Hasanit dhe Gashit, në këtë aferë janë përfshirë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-avokati i këtij institucioni, Venhar Hana, të cilëve po ashtu u janë bllokuar pasuri.