Insajderi
Analiza

I arrestuari për dallavere me tokën milionëshe të shtetit, Venhar Hana në gjyq me familjarët për prona

Insajderi
10 September 2025 - 15:19
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
I arrestuari për dallavere me tokën milionëshe të shtetit, Venhar Hana në gjyq me familjarët për prona
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Venhar Hana, i arrestuar për dyshime në një aferë që gjerësisht kishte raportuar Gazeta Insajderi – me pronat e ish-RTP në Veternik, tash po përballet në Gjykatën Civile me familjarët e tij — vajzat e gruas së parë të babait të tij, Hilmi Hana, një figurë e njohur në industrinë e sigurimeve, për ndarjen e një pasurie të madhe që përfshin tokë, banesa, vetura dhe kursime bankare mbi 200 mijë euro. Insajderi sjell detaje nga seanca që nuk u lejua ta përcillte.

Visar Duriqi

Ishte muaji qershor kur policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, , i vuri prangat avokatit të njohur, Venhar Hana. Arrestimi i tij u krye pas një hetimi disa mujor për një prej aferave më të mëdha me prona publike – tokën e ish-Radiotelevizionit të Prishtinës në Veternik.

Prokuroria dyshon se Hana, por jo i vetëm, kishte përdorur dokumente të falsifikuara për ta regjistruar këtë pasuri milionëshe në emër të një personi tjetër, duke i shkaktuar shtetit dëme që arrijnë në afro 15 milionë euro.

Raportimet e gazetës Insajderi për këtë aferë ishin muaj më parë, para se të arrestohej, dhe ato ndërlidhen edhe me figura të fuqishme brenda sistemit të drejtësisë, përfshirë prokurorin special Dren Paca, një mik i avokatit, tashmë në paraburgim, Venhar Hana.

Pos Hanës, atë ditë u arrestua edhe biznesmeni Dritmir Islami, pronar në autoshkollën “Abis”, si dhe javë me vonë, u kryen bastisje edhe arrestime në institucione publike si akrivi e kadastri.

Për këtë rast të madh penal, që për çudi është në Prokurorinë Themelore, dhe jo në atë Speciale, janë arrestuar edhe Bashkim Shaqiri- Drejtor i Zyrës Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës; Mejreme Bajrami, Zyrtare e lartë ligjore po në atë agjenci; Veton Bytyqi, zyrtar në Agjencinë e Arkivave të Kosovës; Zelije Shala, shefe e divizionit në Agjencinë e Arkivave të Kosovës e Mehdi Bahtiri, po ashtu zyrtar në Agjencinë e Arkivave.

Por, këtu nuk përfundon historia e tij me pronat. Atij tashmë i kanë dalë telashe edhe brenda familjes – sërish për pasuri.

Në një proces civil që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Venhar Hana dhe vëllai i tij, Visar Hana, së bashku me nënën e tyre Lumturie Hana – gruaja e dytë e Hilmi Hanës – po përballen me vajzat e gruas së parë të Hilmi Hanës.

Gazeta Insajderi kishte planifikuar që ta përcillte këtë seancë, por kundërshtimi erdhi nga vëllai i Venhar Hanës, derisa gjyqtarja e rastit, Ilire Vitija Bajraktari, i tërhoqi vëmendjen se ky nuk është rast i mbyllur për publikun, pasi që është rast pronësor. Megjithatë, gjuetarja në fund vendosi që Insajderi të mos qëndronte në seancë, por që më vonë do ti jepej qasje në procesverbalin e saj.

Seanca nisi me zërin e gjyqtares që lexonte numrin e lëndës dhe emrat e palëve. Sallës së vogël, e mbushur me familjarë të tensionuar, i ndihej nxehtësia dhe nervozizmi.

Në një krah ishin motrat paditëse, të vendosura e të heshtura, me dosje në duar. Përballë tyre,  Visar Hana me të ëmën, dhe avokatin e Venhar Hanës që nuk mund të ishte në seancë. Ai ende gjendej në paraburgim më 9 shtator 2025, kur u mbajt ajo.

Pala tjetër, motrat e Visar e Venhar Hnës nga martesa e parë e babait të tyre, Hilmi Hana  që në të gjallë të tij ishte figurë e rëndësishme e industrisë së sigurimeve, kërkojnë nga gjykata që t’u njihet e drejta e barabartë e trashëgimisë, duke përfshirë pasurinë e Hilmi Hanës – shtëpi në Gjakovë, vetura, kursime bankare prej mbi 225 mijë eurosh, si dhe tokë e banesa të evidentuara në fletët e poseduara. Ato paralajmëruan rrezikun që pasuria të tjetërsohet, duke kërkuar nga gjykata masë sigurie.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Venhar Hanës dhe të vëllezërve të tij thanë se nuk kundërshtojnë caktimin e ekspertizës financiare dhe gjeodezike për të qartësuar pronësinë, por kundërshtuan idenë e menjëhershme të masës së sigurisë, duke e cilësuar si të parakohshme.

Në seancë, Visar Hana deklaroi shkurt: “Nuk i kundërshtoj propozimet e paditëses”

Përfaqësuesi i autorizuar i Venhar Hanës shtoi se nuk kundërshtojnë nxjerrjen e provave dhe se tërheqja e padisë ndaj të ndjerës Vjosa Hana është e pranueshme, meqë nuk ka lënë trashëgimtarë.

Motrat, megjithatë, insistuan se përmes kundërpadisë duan që gjykata të verifikojë të gjithë pasurinë e Hilmi Hanës dhe të vendosë për ndarjen e saj sipas Ligjit të Trashëgimisë.

Në fillim të seancës, përfaqësuesit e palëve të paditura – Edi Hana dhe Albena Hana, që janë motrat e Venhar e Visar Hanës nga martesa e parë e Hilmi Hanës, theksuan se pasuritë kryesore që përbëjnë objekt kontesti janë: banesa prej 72.2 m² e blerë më 2002, një sipërfaqe prej 300 m² tokë, një shtëpi prej 220 m² e papërfunduar, një apartament në Durrës me sipërfaqe 41.9 m², një banesë në lagjen Dardania prej 80 m², shtëpia në Gjakovë prej 76 m², një tjetër shtëpi në Gjakovë sipas fletës posedues 3946, dy automjete të blera në vitet 2004 dhe 2006 (Skoda Octavia dhe Volvo), kursime në bankat afariste në vlerë rreth 225 mijë euro.

Banesa tjetër në lagjen Bill Klinton, me sipërfaqe 54 m², e blerë nga Hilmi Hana në vitin 2002 dhe kontrata e shitblerjes, e cila ishte deklaruar nga Lumturija gjatë seancave paraprake, tashmë, me parashtresë për rregullimin e padisë të datës 16 prill 2025, paditesja deklaron se kjo banesë tërhiqet nga padia për faktin se kjo paluajshmëri nuk evitohet në pronësi të trashëgimtarit Hilmi Hana.

Ngrihen dyshime se pse u tërhoq kjo pronë, ku mbeti, dhe mbetet që gjykata të hulumtojë të vërtetën rreth saj.

Përveç tyre, u përmend edhe një kontratë për blerjen e një banese në vlerë 20 mijë euro, transaksion që nuk u realizua, megjithëse Albena Hana kishte kryer pagesë prej 10 mijë eurosh, e dokumentuar përmes transferit bankar.

Përfaqësuesit e paditurve argumentuan se pasuritë janë rezultat i të ardhurave dhe kursimeve të prindit të tyre, ndërsa të ardhurat personale të paditëses gjatë bashkëshortësisë martesore ishin dukshëm më të ulëta. Për këtë arsye, ata kërkuan që gjykata të caktojë masë sigurie mbi të gjithë pasurinë, duke pasur frikë nga rreziku i tjetërsimit ose i ngarkimit të saj me barrë tek persona të tretë.

Një emër që doli shpesh gjatë seancës ishte ai i Shkëlzen Vulës, nipi i Hilmi Hanës.

Banesa diku 80 m² në Prishtinë e blerë nga Hilmi Hana në aso kohë ishte regjistruar juridikisht në emër të nipit Shkëlzen Vulës. Hilmia me gruan dhe 2 djemtë kanë jetuar në atë banesë deri në vdekjen e tij. Pas vdekjes së Hilmisë kjo banesë nga Shkëlzeni është bartë tek Lumturije Hana (gruaja e dytë), e cila tashmë e ka shitur.

Motrat pretendojnë se ajo është pjesë e trashëgimisë së Hilmi Hanës dhe se ky fakt është pranuar nga pala paditëse në procesverbalet e mëhershme.

Ky fakt ka hapur një nyje të re në proces, pasi prania e Vulës në dokumente e komplikon më tej ndarjen e pasurisë, duke shtuar dyshime se prona mund të jetë bartur tek të tretët për të shmangur ndarjen e saj të barabartë.

Nga ana e saj, paditësja – përmes autorizuarit të saj – qëndroi pranë padisë dhe kërkoi që të kryhen ekspertiza të pavarura për të qartësuar faktet vendimtare. Konkretisht, ajo propozoi: ekspertizë gjeodezike për identifikimin e pronave të kontestuara, ekspertizë të vlerësimit të pronave për përcaktimin e vlerës së tyre monetare, ekspertizë financiare për të vlerësuar kontributin e saj në ekonominë familjare dhe për të identifikuar kursimet e evidentuara në emër të trashëgimlënësit në bankat komerciale të Kosovës.

Paditësja dorëzoi si prova edhe librezën e punës së trashëgimlënësit Hilmi Hana, si dhe vërtetime nga institucionet arsimore ku ai kishte punuar.

Visar Hana deklaroi në seancë se nuk i kundërshton propozimet për administrimin e provave.

Ndërkohë, përfaqësuesi i autorizuar i Venhar Hanës pranoi se kanë marrë parashtrësën e rregullimit të padisë dhe nuk kundërshtojnë tërheqjen e saj ndaj të ndjerës Vjosa Hana, duke vënë në dukje se nga provat rezulton se ajo nuk ka lënë pasardhës. Ai theksoi se nuk i kundërshtojnë as propozimet për nxjerrjen e provave, pasi kjo do të ndihmojë në qartësimin e gjendjes faktike dhe juridike.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata vendosi që seanca e shqyrtimit kryesor të mbahet dhe të merren parasysh kërkesat për ekspertiza, si dhe u morën në evidencë propozimet për sigurimin e pasurisë./ Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark