Kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Afrim Selmani, ka akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e energjisë elektrike.
Përmes një postimi, Selmani ka thënë se miliona euro të parave publike janë shpenzuar për import të energjisë, ndërkohë që qytetarët po përballen me reduktime të rrymës. Sipas tij, këto mjete kanë përfunduar jashtë vendit, në vend se të investoheshin në rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë.
“Ndërkohë, ndërtimi i termocentralit të ri është penguar dhe bllokuar me vetëdije, jo për interesa të qytetarëve, por për kalkulime politike dhe pasurim të paligjshëm të individëve të caktuar. Reduktime pa orar veç kanë filluar. Familjet po mbesin pa rrymë. Bizneset po humbin mijëra euro çdo ditë. Qytetarët po ndëshkohen për dështimet e atyre që duhej ta siguronin energjinë”, ka deklaruar Selmani.
Selmani ka bërë thirrje për ndaljen e këtij, siç e quajti ai, “cikli të dështimit”, duke theksuar se koha e mashtrimeve ka përfunduar dhe se ka ardhur momenti për përgjegjësi.
Selmani garon me numrin 68 në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate.