Insajderi
Hulumtime/Analiza

Afro 300 mijë euro për aksidentin e vitit 2011: Si e mbylli Prokuroria Speciale aferën e dekadës në industrinë e sigurimeve në Kosovë

Insajderi
12 December 2025 - 16:09
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Afro 300 mijë euro për aksidentin e vitit 2011: Si e mbylli Prokuroria Speciale aferën e dekadës në industrinë e sigurimeve në Kosovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Rasti i njohur si “Mentor Lipaj” – i lidhur me një aksident të vitit 2011 dhe një kompensim të jashtëzakonshëm prej rreth 296,839 euro – mbetet i pazgjidhur, ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më sakt Prokurorja Ilirjana Çollaku- Tafa e klasifikojnë pagesën e dyshimtë si legjitime, pavarësisht mungesës së verifikimeve thelbësore. Insajderi sjell detaje nga ky rast që konsiderohet si afera e dekadës në industrinë e sigurimeve në Kosovë

Visar Duriqi

Një nga rastet më të rënda të dyshuara për shpërdorim dhe mashtrim në industrinë e sigurimeve në Kosovën e pasluftës, i njohur si “Rasti Mentor Lipaj”, është mbyllur pa asnjë aktakuzë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pas një hetimi që kaloi nëpër njësitë e Krimit Financiar të Policisë, vendosi të pezullojë lëndën, duke lënë të pambuluar humbjen e mbi 296 mijë eurove nga fondet publike të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS).

Vendimi, i nënshkruar nga prokurorja Ilirjana Çollaku Tafa, dërgon një mesazh alarmant për mbrojtjen e fondeve dhe luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Gazeta Insajderi kishte raportuar javë më parë se si e njëjta Prokurore Speciale mbylli edhe rastin kur një banesë prej 30 metrash katror u shit me letra afro gjysmë milioni euro, e në përgjime dilte që mund të jetë shitur 900 mijë euro, por ajo vendosi që nuk kishte elemente të shpërlarjes së parave në atë rast ku përfshihej një familje biznesmenësh të barnave dhe një polic kosovar, Shpend Istogu, i biri i të përmendurit si UDB-ash, Ajet Istogu.

Rasti ‘Mentor Lipaj” ka rrënjët në një aksident trafiku të 05 gushtit 2011. Lënda u regjistrua si C.Nr. 212/1, Gjykata Themelore Pejë, Dega në Istog. Ajo që e bëri këtë rast “spektakolar” është mënyra e paprecedentë se si drejtuesit e BKS-së vendosën të mbyllnin lëndën.

Mentor Lipaj, shtetas i dëmtuar dhe pronar i automjetit, arriti një kompensim total që sipas hetimeve policore kapte shifrën deri në 296,839.00 Euro. Pjesa më e madhe e kësaj shume iu dha Lipajt në formë të rentës së kapitalizuar, bazuar në një vlerësim të 100% invaliditetit.

Gazeta Insajderi e ka kontaktuar javë më parë Lipjan në rrjetin social Facebook, por i njëjti deri tash nuk është përgjigjur.

Ky rast ishte hetuar një herë.

Hetimi konfirmoi se si Gjykata e Apelit, ashtu edhe ekspertiza aktuariale e kishin kërkuar si kusht paraprak thelbësor që Lipaj të vërtetonte zyrtarisht se nuk ishte në marrëdhënie pune dhe nuk përfitonte ndihma sociale nga shteti i Belgjikës. Ky verifikim ishte jetik për të vërtetuar humbjen reale të të ardhurave (rentën).

Shpërfillja e këtyre parakushteve u bë e mundur me veprimin e Drejtorit Ekzekutiv në atë kohë të sapoemëruar, Sami Mazreku, i cili më vonë, siç ka raportuar Gazeta Insajderi, ishte përjashtuar nga komplet industria e sigurimeve për gjysmë dekade me një vendim të Bankës Qendrore.

Më 06 gusht 2021, Mazreku kryesoi mbledhjen e Departamentit Juridik dhe Procesverbali si dokument u regjistrua me shifrën Nr. 914/21. Në këtë mbledhje u arrit marrëveshja me avokatin e Lipajt.

Në fund të mbledhjes, Mazreku urdhëron shpejtësinë e veprimit: “z.Sami Mazreku e uron avokatin për marrëveshje si dhe thirr z.Bashkim Vitija që në prani të avokatit nënshkruar transferin e mjeteve,” në llogarinë e avokatit (avokatit të Lipajt).

Marrëveshja mes BKS dhe Lipajt ishte nënshkruar nga Faik Sylejmani me bekimin e Sami Mazrekut.

Dokumentet konfirmojnë se pagesa u bë në atë mënyrë ku “nuk është kërkuar nga përfaqësuesi i Byrosë verifikimi i të ardhurave, duke e lënë fondin e BKS-së të ekspozuar ndaj një zhdëmtimi pa baza të plota ligjore dhe faktike”.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm stafi i lartë juridik i BKS-së, si Mimoza Kllokoqi, Diellza Sinani, Olumbie Haliti, Leonora Recaj, Ibadete Kozmaqi, Labinota Vllasaliu, Bekim Korça, Arlind Haziri, Yll Hasani, dhe Krenare Robelli, të cilët dëshmuan miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Hetimi i rastit u fokusua te pagesa e madhe dhe dështimi i zyrtarëve të BKS-së për të bërë auditimin vjetor të lëndës së rentës (Neni 16 i Rregullores). Policia e Kosovës e etiketoi rastin si një prej mashtrimeve më të rënda. Kjo bëri që lënda të regjistrohej në Prokurorinë Speciale si PPN.nr.109/2022.

Për të sqaruar bazat ligjore dhe procedurale të pagesës së dyshimtë, Policia intervistoi ish-drejtorët e departamenteve kyçe, Faik Sylejmanin atë kohë Drejtori i Departamentit Juridik dhe Valmir Rexhën, në atë periudhe Drejtori i Departamentit të Dëmeve.

Prokuroria, duke analizuar historikun gjyqësor, theksoi arsyetimin e BKS-së se vendimi ishte marrë për të minimizuar dëmin. Aktuarët e BKS-së kishin vlerësuar se, në rast të humbjes së plotë gjyqësore, shuma totale që BKS-ja rrezikonte të paguante vetëm për Mentor Lipajn mund të shkonte rreth 1,229,355.50 Euro.

PSRK e pranoi këtë si argument kryesor, duke konkluduar se menaxhmenti veproi me qëllim të minimizohet dëmi potencial, dhe se nuk është gjetur asnjë provë që tregon se ka pasur veprim me qëllim përfitimi personal apo dëmtimi të institucionit. Rrjedhimisht, pagesa e dyshimtë u justifikua si një veprim i thjeshtë i menaxhimit të rrezikut financiar, duke mos plotësuar elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.”

Hetimi i policisë në fillim u fokusua te pagesa e 231,599.00 eurove, por burimet policore theksonin se përfitimet totale të Lipajt mund të kapnin shifrën e 286,000 eurove, të gjitha të marra me bazë invaliditetin total.

Raporti i mbylljes së rastit, që u nënshkrua nga Prokurorja Speciale, Ilirjana Çollaku, tregon që nën hetim ishte edhe mënyra se si Sami Mazreku e Venhar Hana, perzonazhe të njohura në raportime për industrinë e sigurimeve, e i dyti edhe në procedurë penale për dallavere me prona të shtetit morën nga 25 mijë euro nga ish-Shoqata e Sigurimeve të Kosovës (ShSK)  që ishte OJQ. Si e tillë, të punësuarit nuk ishin “Persona Zyrtarë” sipas Kodit Penal. Çështja u delegua në Prokurorinë Themelore si vepër e mundshme e “Keqpërdorimit të besimit” (Neni 330 KPRK), për shkak të mungesës së kompetencës lëndore të PSRK-së.

Dyshimi ishte se zyrtarët e BKS-së kishin shpërdoruar detyrën, duke mos e bërë auditimin vjetor të shkresave të lëndës së rentës, siç kërkohet me rregullore (Neni 16 i Rregullores), dhe duke ekzekutuar pagesën pa vërtetuar gjendjen e të dëmtuarit jashtë vendit.

Pas grumbullimit të të gjithë këtij materiali, PSRK-ja, në këtë rast Prokurorja Ilirjana Çollaku megjithatë vendosi të veprojë me raport për mbyllje të rastit, vendim që u protokollua më 19 dhjetor 2024, 12 ditë para përfundimit të vitit.

Një raport i brendshëm i audtimit i BKS-ës më vonë do të zbulonte se afro 1 milion euro u dhanë nga BKS-ja për raste qe dyshohet që nuk e kishin madje as raportin policor- që dëshmon se ka ndodhur aksidenti. Përfitues në këtë aferë janë: Ariana Domniku Collaku, Yll Collaku, Marigona Collaku, Naxhije Collaku, Naser Biri, Jetesa Biri, Ron Biri, Bardh Hoti, Mirjeta Kosumi, Agon Bardhi, Hasip Meleqi, Agim Krasniqi, Trendeline Azemi, , Lirim Ahmetaj, Kushtrim Demolli, Mentor Demolli, Egzona Gashi, Lumnije Osmani, Rilind Hasani, Paris Starabanja, Florent Sylejmani, Kimete Kuliqi, Fehmi Bajrami, Brendona Mujaj, Faton Hajdari, , Hana Rastavica, Valbone Hoxha, Nora Mucaj, Mergim Zabeli, Leonora Berishaj, Shefqet Mjeku, Leonard Rexhaj, Bajram Osmani, Diellza Kabashi, Enis Osmani, Besiana Murati, Arbnora Peci, Valon Duraj, Suad Haliti, Adem Nasufi, Ariana Mehmeti, Hana Ullak, Muhamet Rexhepi, dhe subjekti juridik Reforma SHPK.

Vendimi nga Prokurorja Çpllaku-Tafa u mor në bazë të nenit 84 paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 të KPPK. Ky nen, i përdorur në mënyrë të shpeshtë, lejon Prokurorinë të pushojë hetimin kur, me gjithë materialin e grumbulluar, nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar kryerjen e veprës penale.

Ky vendim nënkupton se shpërfillja e kërkesave thelbësore gjyqësore dhe pagesa e qindra mijëra eurove pa baza të plota faktike, nuk e ka kaluar pragun e një vepre penale për Prokurorinë Speciale.

Për të justifikuar mbylljen, prokurorja Çollaku Tafa la një klauzolë të hapur, e cila i zhvendos përgjegjësitë e organit të akuzës për të ardhmen.

“Prandaj, nga sa u tha më lartë… u vendos që rasti në fjalë të mbyllet me anë të këtij Raporti. Në rast se në të ardhmen paraqiten prova apo informacione të reja që do të mbështesnin një dyshim të arsyeshëm për kryerje të veprës penale, PSRK do të ri-fillojë hetimin për rastin në fjalë”, thuhet në vendimin për mbyllje, që duket edhe si pezullim hetimi dhe jo vetëm krejt mbyllje./ Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark