Afro 300 mijë euro tender- komuna e Alban Hysenit vazhdon ta shpërblej ‘dostin’ e akuzuar për mashtrim, ofertoi me çmimin më të lartë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Afro 300 mijë euro tender- komuna e Alban Hysenit vazhdon ta shpërblej ‘dostin’ e akuzuar për mashtrim, ofertoi me çmimin më të lartë

    Insajderi
    06 December 2024 - 13:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, ka shpërblyer sërish me tender afro 300 mijë euro, afaristin Fatlum Pireva të “El-Bau”, i akuzuar për mashtrim. Kompania e ‘dostit’ të Hysenit është zgjedhur fituese, përkundër se kishte ofertuar me çmim më të lartë se operatori tjetër konkurrues dhe po ashtu më të lartë se çmimi i parashikuar. Insajderi ju sjell detajet.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Gjilanit, me datën 3 dhjetor ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës për tenderin e “Ndërtimi i rrugës në fshatin Sefer”.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 231,405.27 euro.

    Komuna e udhëhequr nga Alban Hyseni, me këtë tender e ka shpërblyer kompaninë e ‘dostit’: EL-BAu SH.P.K, e cila është pronësinë e afaristit Fatlum Pireva.

    Për këtë tender kishin aplikuar dy operatorë ekonomik. Një prej tyre madje kishte qenë edhe me çmim më të ulët.

    Operatori tjetër ekonomik, është refuzuar për arsyen se ishte vlerësuar e pa përgjegjshme.

    Ndërkohë, fituese është shpallur, El Bau SH.P.K, me çmim, 298 mijë e 731 euro.

    Vlerë kjo e cila është më e lartë se oferta e operatorit ekonomik të refuzuar.

    Madje, çmimi i ofertuar i kompanisë fituese, të Fatlum Pirevës, ka kaluar edhe çmimin e parashikuar të kontratës.

    Kompania ‘El Bau’ ka pronar afaristin Fatlum Pireva. Kompani kjo që kishte qenë pjesë e konsorciumit në tenderin për stadiumin e Gjilanit, cili përfundimisht dështoi, pasi kishte tendenca se Alban Hyseni, i përzgjodhi dostat e tij për t’iu dhënë mbi 15 milionë euro.

    Jo vetëm, Pireva ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë i cili ishte ngarkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.

    Fatlum Pireva së bashku me dy persona tjerë dyshohej si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.

    Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.

    Sipas gjykatës, të pandehurit dhe Fatlum Pireva akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

    Pireva kishte fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.

    Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.

    Pronarët e këtyre kompanive kishin ndërlidhje me njëri-tjetrin.

    Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani ishin përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark