
Disa operacione të SPAK-ut në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese partnere kanë treguar se pikat valutore kanë një rol gjithnjë e më të madh në dërgimin e parave të krimit nga shtete të ndryshme (kryesisht evropiane) drejt Shqipërisë përmes sistemit të njohur kinez Hawala, i cili bën të mundur transferimin e parave duke evituar lëvizjen fizike të parave dhe sistemin bankar. Pikat valutore (exchange), të cilat sjellin në Tiranë dhjetëra milionë euro, para të trafikut të kokainës, grabitjeve dhe prostitucionit, veprojnë gjithnjë si agjentë të zyrave të këmbimit valutor që janë licencuar dhe kontrollohen nga Banka e Shqipërisë.
Nën ombrellën e subjekteve jo bankë të licencuara nga BSH, në Tiranë veprojnë me dhjetëra pika valutore, disa nga të cilat shërbejnë si lavatriçe e qarkullimit të parave të pista. Mbi 300 pika valutore veprojnë vetëm në Tiranë, shumica si derivate.
Për shembull, pikat vaulutore të Përparim Kalbajt tek Pallati Nord Konstruksion në Rrugën e Durrësit, që sillnin në Shqipëri paratë e kokainës nga Zvicra, vepronin për llogari dhe në emrin e subjektit jo bankë AK-Invest sha. Është e vështirë të besohet se kompanitë ombrellë nuk kanë dijeni dhe nuk përfitojnë nga aktiviteti kriminal i pikave të tyre bija.
Disa sinjalizime të brendshme tregojnë se shumica e pikave valutore në Tiranë që veprojnë si derivate dhe nën ombrellën e Wester Union dhe Union Net të Edmond Lekës shërbejnë për tranferimin e parave të pista nga vendet e BE drejt Shqipërisë, me sistemin Hawala, në këmbim të një përqindje të caktuar që shkon deri në 6 %. Paratë ndahen sipas roleve, duke u pastruar më pas përmes investimit në pasuri të paluajtshme.
Edmond Leka konsiderohet një figurë e skeduar dhe me rrisk për aktivitetin e pastrimit të parave përmes një trusti financiar. Leka del në pah në disa dosje të SPAK dhe raporte sekrete si mjeshtër i skemave të pastrimit të parave përmes kartelit të tij financiar me subjekte bankë dhe jo bankë. Disa ditë më parë, Leka ka marrë edhe një leje nga Edi Rama për të ndërtuar një kullë 19 kate, në Bulevardin “Bajram Curri”, në vend të Shkollës 1 Maji.
Leka drejton një kartelë që përbëhet nga Wester Union, Union Grup, Union Financiar, Media Union, Union Travel, United Motors, United Transport, Albanian Cargo Service, Albanian Courier, Auto Master, Media Union, PLUS COMMUNICATION, Arch Investor, UNI-COM, Pluton Investor, S-SYSTEMS, Sesa, UNI-CONS, Geo Consulting, UNION DISTRIBUCION SERVIS ALBANIA, Paylink, Auto City, Arch Investor, E – BUSINESS SOLUTIONS, A SL-Construction 2, Automobile Touring Club Albania, Kato Vora Albania, Sicily By Car – Autoeuropa etj.
Pastroi paratë e aferës me ish Klubin Partizani
Në dosjen e SPAK Edmond Leka rezulton personazhi kyç që mundësonte tranferimin dhe pastrimin e parave të Familjes Berisha me aferën e ish Klubit Partizani. Vetëm gjatë periudhës gusht 2017 deri në dhjetor 2017, rezultojnë 80 transaksione të parave të korrupsionit drejt dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, të mbuluara nga Edmond Leka.
Paratë janë ndarë shuma prej 7 mijë euro për çdo transaksion, me qëllim për të mos tërhequr vëmendjen e Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Pastrim parash me Fazlliçin
Edmond Leka me kartelin e tij lavatriçe financiare mbuloi me para në formë kredie korrupsionin dhe pastrimin e parave të Damir Fazlliç dhe Familjes Berisha, me pronat në Porto Romano, që bliheshin me para cash nga Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi me 10 euro m2, duke ia shitur menjëherë kompanive të Fazlliçit me 18 euro m2, gjoja për të ndërtuar një park energjitik.
Raporti sekret: Wester Wunion i Lekës pastron paratë e drogës
Në vitin 2015, në media rrodhi një raport sekret i OSBE, me të dhëna tronditëse, rreth veprimtarisë kriminale të kupolës politike të Tiranës dhe disa biznesmenëve, të cilët shërbenin si tunel i politikës dhe krimit për dërgimin e parave të pista në Evropë dhe në parajsat fiskale, por edhe për dërgimin e parave nga vendet e drogës në Shqipëri.
Në raportin sekret thuhet se “Edmond Leka, është përfaqësues i “Western Union” për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Kompanitë e tij, dyshohet se kanë shërbyer për të transferuar shuma marramendëse parash, në shumë raste nga burime të paligjshme….”.
Edmond Leka përshkruhet në raportin e OSBE si njeriu që lëviz prej më shumë 20 viteve paratë e pista përmes “Western Union”, një kompani që merret me transfertat e parave nga Shqipëria në vendet e tjera dhe anasjelltas.
Gjatë këtyre viteve besohet se në ‘tunelin’ e Lekës kanë kaluar dhjetëra milionë euro para të pista, duke përfshirë edhe paratë e korrupsionit të politikanëve, krimit të organizuar, trafikantëve dhe ndoshta celulave terroriste. Sipas raportit sekret, Leka u jep një pjesë të parave partive politike për fushata, dhe kështu më pas siguron mbrojtje të aktivitetit në fushën e lëvizjes së parave të pista.
Evidenca të tjera
Në vitin 2017, Edmond Leka u gjobit nga Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave me akuzën e mosrespektimit të procedurave të ligjit për paratë e pista. Edhe pse ndëshkimi ishte një masë qesharake, sërish sinjali për prokurorinë ishte i mjaftueshëm për të nisur një hetim.
Agjencitë ndërkombëtare, sidomos ato amerikane, vetëm gjatë viteve 2007-2017, kanë konstatuar dhe skeduar 1132 transferta parash të pista të bosëve të krimit, përmes Edmond Lekës, në vlera marramendëse.Prapaskena