Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kundërshtuar kufizimin e hapësirës së punës për mediat në Kuvend, duke thënë se ky vendim vështirëson raportimin profesional dhe të plotë.
AGK-ja tha se vendimi i Kuvendit për media nuk i kontribuon transparencës për punën e deputetëve, derisa i ka bërë thirrje që të marrë masa për të lehtësuar punën.
“Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar se në seancën e së enjtes, janë ballafaquar me kufizim të dukshëm të kryerjes së detyrave nga hapësira e Kuvendit të Kosovës. Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve. AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi”, thuhet në njoftim.