Sulmi i planifikuar të ndodhte në Mal të Zi para dy ditësh, në të cilin qenë përfshirë 20 serbë (6 nga veriu i Kosovës), ka alarmuar jo vetëm Malin e Zi, por edhe Kosovën. Planifikimi i sulmit të tillë në shtetin fqinj me persona të dyshuar edhe nga Kosova kanë shqetësuar njohësit e çështjeve të sigurisë.
Vetë fakti që brenda territorit të Kosovës ka persona të tillë, sipas njohësve të kësaj fushe, Kosova duhet t’i rrisë masat e sigurisë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka pranuar të japë detaje rreth kësaj situate.
Ndërkaq, zyrtarë të Policisë për Rajonin e Mitrovicës kanë thënë se sulmi i planifikuar në Mal të Zi nuk ka reflektuar aspak në këtë pjesë të Kosovës, shkruan Zëri.
Mirëpo, përfaqësues të AKI-së thonë se pavarësisht se Kosova është e rrezikuar nga këto veprime, Policia dhe Agjencia e Inteligjencës kanë informacione të duhura për të ndaluar çdo formë të provokimeve.