17:48 - 16 Shkurt 2016

Një ditë pas publikimit të listës së uzurpatorëve të pronave publike, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dalë me një sqarim nëpërmjet së cilës të gjithë të tjerët përpos institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare janë uzurpatorë.

AKP është thirrur në Udhëzuesin për lirimin e Aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH), kur ka sqaruar arsyen përse institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk i cilëson si uzurpatorë të pronës publike.

“Uzurpatorë të pronave shoqërore konsiderohen ato palë të treta të cilat i shfrytëzojnë këto prona paligjshëm për qëllime komerciale dhe të cilët nuk e pranojnë autoritetin administrativ të AKP-së të paraparë në nenin 5 të ligjit të AKP-së për administrimin e pronave shoqërore”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Në listën e publikuar pas kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, uzurpatorë konsiderohen edhe UNMIK-u e EULEX-i.

eu

AKP ka njoftuar nëpërmjet kësaj komunikate se “do të vazhdoj të diskutojë me institucionet qendrore përkatëse për të përcaktuar nivelin e qirasë të cilën duhet paguar për shfrytëzimin e pronave të Ndërmarrjeve Shoqërore”, dhe se lista e publikuar do të azhurnohen periodikisht.

Në fund të komunikatës, AKP ka ftuar palët e interesit që në rast të “vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë”.

“Agjencia do të korrigjoj ndonjë lëshim eventual me rastin e publikimit periodik të këtyre listave”, thuhet në fund të komunikatës.