Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të dielën pasdite në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Rastin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Sipas Veselit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30, ndërsa në të është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona.
“Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt”, ka thënë Veseli.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Stacionit Policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Emergjenca e Ferizajt.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e rrethanave të aksidentit.
Policia ka bërë të ditur se për detaje të tjera do të njoftojë përmes raportit vijues. /Insajderi.org/