Insajderi
Lajme

Aksioni në tri lokacione, arrestohen gjashtë persona- Prokuroria jep detaje

Insajderi
07 May 2026 - 16:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Aksioni në tri lokacione, arrestohen gjashtë persona- Prokuroria jep detaje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjashtë persona janë arrestuar të mërkurën në një aksion të gjerë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra të rënda penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë gjashtë të dyshuar me inicialet F.S., L.R., N.S., A.I., A.Sh. dhe B.B.

Ata dyshohen për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë: “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim të informatës zyrtare”, “Mashtrim”, “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, “Deklarim të rremë nën betim”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Marrje të deklaratave me anë të shtrëngimit” dhe “Shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gjatë aksionit janë sekuestruar dy vetura në vlerë rreth 80 mijë euro, një orë dore e markës “Rolex” me vlerë deri në 10 mijë euro, pesë telefona celularë dhe dokumente të tjera që do të përdoren si prova materiale në procedurën penale.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark