Autoritetet gjyqësore të Turqisë kanë përfunduar hetimin lidhur me 143 ushtarë të dyshuar, prej të cilëve 135 gjenden në paraburgim, lidhur me ngjarjet në Urën Dëshmorët e 15 Korrikut (Ura e Bosforit) gjatë tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO më 15 korrik të vitit të kaluar, ku u martirizuan 34 persona, prej të cilëve dy policë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në vazhdën hetimeve lidhur me ngjarjet mbi urë të cilat filluan kur pjesëtarët e FETO-s e bllokuan me tanke, Kryeprokuroria Republikane e Stambollit dhe Byroja për Hetimin e Krimeve Terroriste dhe të Organizuara kanë përgatitur aktakuzën lidhur me 143 të dyshuar, prej të cilëve 135 janë në paraburgim.
Gjatë incidenteve në Urën Dëshmorët e 15 Korrikut humbën jetën 34 persona, në mesin e të cilëve ndodheshin dy policë dhe reklamuesi Erol Olçok dhe i biri i tij Abdullah Tayyip Olçok.
Në aktakuzë thuhet se tetë të cilët janë në liri, në mesin e të cilëve edhe ushtarë të thjeshtë, janë larguar nga ura kur kanë kuptuar seriozitetin e ngjarjes. Ndërkaq, në aktakuzë janë përfshirë 318 ankues të cilët u rrezikuan me tentativë për vrasje me paramendim.
Sipas aktakuzës, për të gjithë të dyshuarit kërkohet burgim i përjetshëm, nën akuzat “përpjekje për zhdukjen e Kuvendit ose për pengimin e punës së tij”, “përpjekje për rrëzimin e qeverisë së Republikës së Turqisë ose për pengimin e punës së saj”, “përpjekje për prishjen e rendit kushtetues” dhe “vrasje me paramendim”.