×
  • Lajme
  • Analiza

    Akuza, eliminime nga gara e sulme fizike – Vetëvendosje në Llap nuk po gjen qetësi

    Insajderi
    31 October 2022 - 15:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një luftë e brendshme në degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka nisur tash e disa muaj. Nga akuza të rënda, eliminimet nga gara për të parin e degës e deri tek eskalim në rrahje fizike mes asamblistëve të Vetëvendosjes në Podujevë, e ka përcjellë këtë degë të partisë së kryeministrit Albin Kurti. “Nuk ka rahati me gjarprin brenda n‘shpi”, thotë njëri nga anëtarët e partisë. Kush është gjarpëri brenda VV-së?

    Ka disa muaj që ujërat brenda degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, janë trazuar. Që prej kur janë shpallur zgjedhjet e brendshme të partisë, anëtarët e saj janë ndarë në dy taborre.

    Disa në krahun e Shpejtim Bulliqit e të tjerët që janë deklaruar kundër politikave të tij. Krahun tjetër kundër Bulliqit e drejtonte Bedri Maqastena i cili u eliminua nga gara pak ditë pasi shpalli kandidaturën.

    Qetësi duket se nuk gjeti kjo degë as pas eliminimit të kundër kandidatit të Shpejtim Bulliqit nga gara, shkruan Gazeta Insajderi.

    Si vijimësi e problemeve të brendshme partiake sot ka ndodhur një rrahje fizike mes asamblistëve të partisë. Ragip Fetahu u sulmua nga Artrit Mulliqi, në oborrin e komunës gjatë një pauze të shkurtër të seancës së Kuvendit Komunal.

    Të dy përfundun në polici.

    Ragip Fetahu ka treguar versionin e tij lidhur me incidentin. Thotë se u sulmua nga Mulliqi në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar dhimbje dhe marramendje.

    “z. Mulliqi më vjen nga pas dhe më drejtohet kështu; ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua. Unë i drejtohem; ti ke kërku votë për shef të Asambleistëve, secili e ka punën e tij, mos mu drejto mua kështu. Pas këtyre fjalëve z. Mulliqi më kap në këmishe dhe duke më fyer e ofenduar, e duke më sharë me nënë e familje”.

    “Kam tentuar disa herë ta largojë me duar por nuk munda. Kam lëvizur me duar pa ndërprerë. Por, ai nuk më lëshonte. Kanë ndërhyrë disa persona për ta larguar dhe në tentim e sipër më godet në pjesën e pasme të kokës duke më shkaktuar dhembje ekstreme të kokës dhe marramendje”, tha Fetahu.

    Sipas tij, dëshmi e kësaj janë kamerat e komunës.

    Sipas Fetahut, sulmi ndaj tij ishte inskenim i formacioneve të brendshme siç ka thënë si të para politikës së VV-së.

    “Kjo mund të jetë vijimësi e problemeve të brendshme partiake dhe mund të jetë frustrim i tij për shkak se nuk ka arrit të sigurojë një votë që i ka mungu për t’u bërë shef i grupit. Ky është inskenim i pastër i formacioneve të brendshme parapolitike të LVV, në raport me mua për shkak të qëndrimeve të mia parimore në interes të qytetarëve të Llapit.Do të jem përjetë vetëm në interes të tyre, e jo pjesë e grupacioneve dhe formacioneve fetare e parapolitike!”, tha më tej Fetahu.

    Artrit Mulliqi i kontaktuar nga Insajderi ka thënë se nuk mund të flas më shumë për rastin pasi që ndodhet në polici.

    “Mirë jemi, gjendja shëndetësore është mirë. Nuk mundem me thanë kurgjo tjetër jam në stacion policor” – tha Mulliqi për Insajderin.

    Për përleshjen mes zyrtarëve të tij, kryetari i komunës dhe degës së VV-së, Shpejtim Bulliqi ende nuk ka thënë asnjë fjalë.

    Por për rastin reagoi një anëtar i partisë që mbante pozitë të rëndësishme edhe në komunë.

    Ish-drejtori i Inspeksionit, Besnik Mulliqi, i cili muaj më parë u shkarkuar nga kryetari, Shpejtim Bulliqi, tregoi pse nuk ka qenësi në këtë parti.

    “Nuk ka rahati me gjarprin brenda n‘shpi”, tha Mulliqiduke e lënë të nënkuptohet se fjalën e ka për Shpejtim Bulliqi derisa përdori shprehjen “gjarpër”.   

    Si nisi lufta për të parin e VV-së në Podujevë?

    Kundërkandidat i Shpejtim Bulliqit për të parin e partisë kishte dal, ish-drejtori i shkarkuar i Inspeksionit, Bedri Maqastena.

    Ai e shpalli kandidaturën në fillim të muajit gusht, derisa krahun e tij, e mbanin drejtori tjetër i shkarkuar nga Bulliqi, Besnik Mulliqi, shefi i asamblistëve Florent Hasani dhe një grup i anëtarëve të pakënaqur me politikën e Shpejtim Bulliqit, dikur zyrtar i LDK-së dhe njeri i dëgjueshëm i Agim Veliut.

    Pavarësisht kësaj përkrahje brenda partisë, Bedri Maçastenës në fillim të shtatorit iu refuzua kandidatura për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Maqastena këtë vendim e ka quajtur skandaloz, madje e kishte ftuar KZP të rishqyrtojë vendimin sipas tij të “padrejtë”.

    “Ky vendim po e ndalon zhvillimin e demokracisë, jo duke ma ndaluar mua garën por duke e ndaluar të zhvillohet një garë në mes dy kandidatëve”, thoshte Maçastena.

    Derisa thotë se vetmi “kriter” të cilin ai se ka plotësuar “është mosbindja për t’u renditur në anën e atyre që e shkelin ligjin e që e kanë profesion e pasion, e që fatkeqësisht po gjejnë mbështetje te individët vendimmarrës brenda Lëvizjes”!

    Maçastena thotë se kundër kandidati i tij iu frikësua garës e konkurrencës.

    “Ai vazhdoj me avazin e vjetër duke kërcënuar, shantazhuar dhe në fund duke keqinformuar”.

    Shpejtim Bulliqi u ankuzua për ndërhyrje në vendimet për ndërtimet në Komunën e Podujevës nga njeriu i partisë së tij, që për disa muaj iu kishte besuar posti i drejtorit të Inspeksionit.

    Besnik Mulliqi, pasi u shkarkua nga shefi i tij, Bulliqi deklaroi po ashtu se shkak i përjashtimit të tij nga drejtoria u bë rrënimi i objekteve pa leje, në fshatin Orllan.

    Mulliqi thoshte se e kishte lajmëruar Bulliqin për rrënimin e objekteve atje, dhe se ky i fundit i kishte ftuar në mbledhje të nesërmen e cila ishte e acaruar.

    “Unë e kam njoftu kryetarin që do të ketë rrënime të objekteve në Orllan, të nesërmën na ka thirrë në mbledhje në ora 8, një mbledhje tejet e acaruar e pakuptimtë dhe ka kërkuar që të ketë transferim të krejt inspektoratit që është jashtë normales kjo punë. Kjo është direkt pengim i kryerjes së detyrave të inspektorëve dhe unë s’kam pranu me i nënshkru ato transferime gjë që i kam bë me dije, ai më ka kërku me dhanë dorëheqje unë s’kam dhanë dorëheqje”, ka thënë ai.

    Mulliqi madje kishte deklaruar se Bulliqi i kishte thënë që nëse i kërkon edhe në burg me shku duhet ta zbatojë vendimin e kërkuar nga ai.

    “Në aspektin ligjor nuk më duket aspak në rregull dhe i kam tregu me mirësjellje se nuk du me pasë pasoja ligjore, masnej kryetari ma ka thanë me fjalë në rregull kur të them unë ki me shku edhe në burg, atëherë më vjen keq unë nuk shkoj në burg kështu ka qenë”, u shpreh ai.

    Rreth këtyre akuzave, Prokurori Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet ndaj Shpejtim Bulliqit. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark