×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Akuza ndaj zyrtarit të partisë për vjedhje votash, Prokuroria thotë se nga kjo përfituan këta deputetë të LDK’së

    Insajderi
    21 March 2024 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokurori special Ilir Morina gjatë elaborimit të provave materiale në gjykimin ndaj ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkumbin Gashi dhe Sylë Balajt, tha se nga keqpërdorimi me vota përfituan edhe kandidatët tjerë për deputetë përveç Gashit dhe ata sipas tij janë: Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Violetë Osaj dhe Besa Gaxherri.

    “Hetimet zbuluan se në keqpërdorimin e të drejtës së votimit kanë përfituar edhe kandidatë tjerë perveç Shkumbin Gashit. Në mesin e kandidatëve që kanë përfituar nga ky proces janë: Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Violetë Osaj, Besa Gaxherri”, tha prokurori Morina.

    Por, për të njëjtit, prokurori tha se nuk kanë arritur të gjejnë prova se janë të përfshirë në vepra penale.

    Gashi dhe Balaj po akuzohen për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurori Morina propozoi që si provë materiale të administrohen CD që sipas tij shihet pjesëmarrja e të akuzuarve për keqpërdorim të së drejtës së votimit dhe fotografi mes të akuzuarve, që dëshmojnë bashkëpunimin e tyre.

    Po ashtu, prokurori propozoi që të administrohet si provë materiale edhe një fotografi mes të akuzuarit Shkumbin Gashi, të dënuarit në këtë çështje Kastriot Blakaj dhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, që sipas tij përmes fotos kuptohet se Blakaj ka mbledhur vota për Gashin.

    Mirëpo, lidhur me provat materiale që i elaboroi prokurori Morina, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Fatmir Kurmehaj, tha se bisedat telefonike me të dënuarin Blakaj nuk përshkruajnë figurën e veprës penale për çka ngarkohet Gashi.

    Kurse mbrojtësi i Balajt, avokati Xhafer Tahiri tha se nga vetë elaborimi i provave materiale që bëri prokurori Morina, arrihet të kuptohet se Balaj nuk ka pasur dorë në asnjë zarf apo fletëvotim, në të cilat zerfe pretendohet se janë manipuluar vota.

    Në këtë seancë, janë refuzuar propozimet e prokurorit Morina që të administrohen si prova materiale aktgjykimet e të bashkëpandehurve tjerë që kanë pranuar fajësinë, pasi që sipas trupit gjykues vlen prezumimi i pafajësisë dhe si vendime nuk lejohet të shërbejnë si prova për bashkë të pandehur.

    Më pas, seanca vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarve, ku dy të akuzuarit shfrytëzuan të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

    Ndërkaq, lidhur me fjalën përfundimtare, prokurori Morina kërkoi ndërpreje të seancës për t’u përgatitur e njëjta dhe kjo kërkesë u miratua nga trupi gjykues.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark