Insajderi
Lajme

Alarm për fruthin në Kosovë: 137 raste të konfirmuara, 25 vetëm në javën e fundit

Insajderi
17 August 2026 - 20:17
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Alarm për fruthin në Kosovë: 137 raste të konfirmuara, 25 vetëm në javën e fundit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Fruthi po përhapet në disa komuna të Kosovës, me 25 raste të reja të konfirmuara vetëm gjatë javës së fundit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 137 raste të konfirmuara me fruth.

Prishtina prin me numrin më të lartë të rasteve, ku janë konfirmuar 47 raste, ndërsa pas saj renditet Fushë-Kosova me 34 raste. Ferizaj ka 12 raste, Obiliqi 8, ndërsa Kaçaniku dhe Lipjani nga 7 raste.

Raste janë regjistruar edhe në Skenderaj, Vushtrri e Drenas nga tri, si dhe në Gjilan, Shtime, Shtërpcë e Deçan nga dy raste. Nga një rast janë raportuar në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.

Përballë rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat më të prekura.

Vetëm gjatë javës së fundit, 276 fëmijë që kishin mbetur prapa me vaksinimin sipas kalendarit të rregullt janë vaksinuar me MMR në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj.

IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të marrin vaksinat sipas kalendarit të rregullt në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Instituti gjithashtu ka kërkuar që personat që shfaqin simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

Sipas IKShPK-së, duke pasur parasysh shkallën e lartë të infektueshmërisë dhe komplikimet që mund të shkaktojë fruthi, vaksinimi mbetet masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe pengimin e përhapjes së saj në komunitet.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark