×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Alarmante- Si i kapën postet e ndjeshme qeveritare në Kosovë njerëzit e trafikut të drogës?

Insajderi
25 January 2024 - 12:27
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Postet e larta shtetërore po zaptohen nga njerëz që janë pjesë të trafikut të drogës. Rast i freskët është ai i Drilon Berbatit, i cili ka shërbyer deri vonë në administratën e Agjencisë për Regjistrim Civil, agjenci kjo që lëshon dokumente identifikuese për qytetarët e Republikës së Kosovës. Para dy ditësh, ai u kap me gati 18 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë në Serbi, të ndarë në 32 pako të veçanta e të fshehura brenda karrigeve të veturës me të cilën po lëvizte. Hiç më larg se para gati dy vitesh me afro 50 kilogramë drogë ishte kapur edhe ish-Sekretari i Ministrisë së Tregtisë, Burim Rreci.

MUP-i serb ka njoftuar për arrestimin e Drilon Berbatit, 34-vjeçar, ish-zyrtarin e MPB-së, pasi i njëjti u kap me hiç më pak se 17 kilogramë dhe 756 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, raporton Gazeta Insajderi.

Në njoftimin e autoriteteve serbe, thuhet se Berbatit iu kapën 32 pako me marihuanë në veturën e tipit “Fiat” me targa austriake, me të cilën po lëvizte.

Sipas MUP-it, Berbati po dyshohet për prodhim të drogës dhe vendosje të pautorizuar të saj.

Arrestimi, sipas tyre, ka ndodhur në Batrovc, pikëkalim kufitar ky në mes të Serbisë dhe Kroacisë.

“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Administratës së Policisë Kufitare dhe Administratës së Policisë në Sremska Mitrovicë konfiskuan 17 kilogramë e 756 gramë lëndë bimore që dyshohet se është marihuanë dhe e arrestuan D. B. (34), për shkak të ekzistimit të bazës së dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit dhe vendosjes së paautorizuar të drogave narkotike”, thuhet në njoftimin e MUP-it serb.

“Gjatë kontrollit të një veture “Fiat” me targa austriake, në vendkalimin kufitar Batrovci, në dalje nga Republika e Serbisë, policia ka gjetur 32 pako me lëndë bimore që dyshohet se janë marihuanë, të fshehura në një pjesë të posaçme në veturë, vijon njoftimi.

Autoritetet serbe kanë publikuar edhe pamje të konfiskimit të drogës:

Drilon Berbati iu bënte ‘nder’ kriminelëve

Berbati sa ushtronte funksionin e zyrtarit administrativ në Agjencinë për Regjistrim Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, akuzohet se e kishte pajisur me letërnjoftim dhe pasaportë një shtetas të Shqipërisë të kërkuar nga INTERPOL-i.

Për këtë vepër penale, ai ishte arrestuar nga policia më 19 korrik të vitit që shkoi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë përpara më shumë se një muaji njoftoi për ngritje të aktakuzës ndaj Berbatit.

“…i pandehuri D.B, në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, në vazhdimësi i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin primar dhe sekondar për pajisje me dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N, siç ka vepruar edhe me 7 (shtatë) persona të tjerë, duke i keqpërdorur të dhënat personale të të dëmtuarve, në të cilat i pandehuri kishte qasje”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria kishte kërkuar që t’i ndalohej ushtrimi i funksioneve publike.

Nga MPB-ja jo-zyrtarisht kanë thënë për Insajderin se ai s’është duke e ushtruar këtë pozitë tash e disa muaj.

Insajderi ka kontaktuar MPB-në duke i kërkuar vendimin për lirimin nga detyra të Berbatit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Emri i Berbatit në media ishte përmendur edhe për afërsi me deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin. Ai kishte shfaqur simpati për deputetin dhe partinë nëpër rrjetet sociale.

Rasti i famshëm i Burim Rrecit

Burim Rreci, ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ishte kapur me afro 50 kilogramë marihuanë në Mal të Zi në shkurtin e 2022-ës.

Saktësisht më 15 shkurt, në pikën kufitare Debeli Brijeg, policia malazeze kishte arrestuar ish-sekretarin e MINT-it, Burim Rrecin.

Më pastaj, Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria e të Hyrave dhe Doganave kishte njoftuar zyrtarisht se zyrtarët e tyre gjatë kontrollit të një veture të pasagjerëve Audi me targa të Kosovës, të drejtuar nga ai shtetas i Kosovës, kanë gjetur shtatë pako me marihuanë.

Rreci ishte i përfshirë edhe më herët në skandale.

Me 9 shtator të 2020-ës, Ministrit i Vesel Krasniqi, kishte marr vendim për pezullim nga puna të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Burim Rreci.

Arsye e pezullimit të tij nga kjo pozitë ishin dyshime për keqpërdorime dhe i papërgjegjshëm në çdo aspekt”.

Në vendim thuhet se pezullimi bëhet për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore: Mos përmbushje e detyrave të punë, mosrespektim i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda, moszbatim i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, dëmtim i pasurisë shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar apo keqpërdorim i pasurisë shtetërore, shkelje e detyrave të përcaktuara në ligjin dhe legjislacionin në fuqi.

Rreci disa herë ishte shkarkuar dhe kthyer përsëri në detyre. Në qeverisjen e Ramush Haradinaj në vitin 2018 ai ishte emërua në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së. Kurse, 29 gusht të vitit 2018 ai ishte suspenduar nga puna nga ministri i atëhershëm i MTI-së, Bajram Hasani.

Një javë pas këtij vendimi, Rreci ishte rikthyer në pozitën që kishte më parë. Në arsyetim të vendimit për rikthim në punë të Rrecit, thuhej se ka pasur shkelje materiale dhe procedurale në vendimin për pezullim.

Në 11 nëntor të vitit 2019, Rreci sërish bëhet lajm. Sipas informatave, Rreci ishte sulmuar në zyrën e tij fizikisht nga Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.

Ndërkaq, Rraci kishte qëndruar në pozitën e Sekretarit të MTI-së deri në shkurtin e 2020-ës, kur Qeveria “Kurti” e kishte vënë atë në listë rezervë, bashkë me disa sekretarë tjerë.

Mirëpo, ky vendim i Qeverisë Kurti u anulua me ardhjen e qeverisë “Hoti” dhe me propozim të ministrit të MTI-së, Vesel Krasniqi, Rreci rikthye në detyrë. /Insajderi.org/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark