Insajderi
Lajme

“Albin Kurti e ka fituar pushtetin, por nuk po i mjafton; ai po e do shtetin”

Insajderi
21 August 2026 - 14:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Albin Kurti e ka fituar pushtetin, por nuk po i mjafton; ai po e do shtetin”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se partia e tij po kërkon funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar shumicën parlamentare për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Tahiri tha se PDK-ja është e qartë në qëndrimin e saj si parti opozitare, ndërsa për zgjedhjen e Presidentit kërkoi konsensus politik.

“PDK është e qartë në pozicionin e saj, ne jemi opozitë. Por, te Presidenti duhet konsensus. Vazhdojmë të mendojmë se një subjekt politik s’duhet t’i ketë të gjitha pozitat”, tha Tahiri.

Duke folur për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, Tahiri tha se ai e ka fituar pushtetin, por sipas tij, synon të ketë kontroll edhe mbi institucionet e tjera.

“Albin Kurti e ka fituar pushtetin, nuk po i mjafton pushteti. Ai po e synon shtetin, se pushtetin e ka të fituar. 100 për qind të ekzekutivit e ka të fituar. Nuk mund t’ia ndalim e as nuk jemi duke dashur këtë”, deklaroi ai.

Tahiri shtoi se PDK-ja nuk do të lejojë, sipas tij, ndryshimin e strukturës dhe organizimit demokratik të Kosovës.

“Ne nuk lejojmë të ndryshohet struktura dhe organizimi demokratik i Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.

Ai pranoi se Vetëvendosje ka marrë numrin më të madh të votave dhe tha se PDK-ja e ka pranuar rezultatin zgjedhor. Megjithatë, ai e akuzoi këtë parti për “neglizhencë totale” sa i përket funksionalizimit të Kuvendit.

Tahiri kritikoi edhe kryesuesin e seancës konstituive, deputetin e Vetëvendosjes, Avni Dehari, duke pretenduar se ndërprerja e seancës dhe mos-thirrja e saj përbëjnë shkelje të Rregullores së Kuvendit.

“Është duke e shkelë Rregulloren e Punës së Kuvendit, e Rregullorja është ligj. Ai duhet ta thërrasë seancën”, tha Tahiri.

Sipas tij, Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të funksionalizohet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Tahiri ngriti kritika edhe për Qeverinë, duke pretenduar se po shkelet Ligji për Qeverinë. Ai tha se kryeministri dhe ministrat, pasi janë betuar si deputetë, duhet të japin dorëheqje nga pozitat ekzekutive.

“Kryeministri dhe 17 ministrat e tjerë, në ditën që janë betuar si deputetë, duhet të japin dorëheqje prej pozitës ekzekutive. Ata vazhdojnë të jenë kryeministër dhe ministra – tërësisht jashtëligjshëm, në bazë të Ligjit për Qeverinë”, deklaroi ai.

Tahiri tha se PDK-ja po kërkon vazhdimisht thirrjen e seancave të Kuvendit, por pretendoi se deputetët e shumicës nuk po marrin pjesë.

“Ne po i kërkojmë çdo 48 orë thirrje të seancës, po shkojmë në seancë, nuk po vijnë, nuk po e përfillin”, shkroi Tahiri.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark